Maqedoni
Takim Izairi-Agani, zgjerohet bashkëpunimi në mbrojtjen e ambientit
08.04.2015 17:26
Përfitimi i ndihmës financiare dhe teknike nga Bashkimi Evropian për realizimin e projekteve ndërkufitare është mjaft i rëndësishëm për Maqedoninë dhe Kosovën...

Ministrat e Ekologjisë së të dy vendeve, Nuran Izairi dhe Ferid Agani, u takuan në Prishtinë për të diskutuar për projekte konkrete dhe për gjetjen e donatorëve të tjerë për realizimin e projektit për mbrojtjen e lumit Lepenc dhe të malit të Sharrit.
Kosova dhe Maqedonia zgjeruan bashkëpunimin në sektorin e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.
Theks i veçantë i këtij takimi ishte menaxhimi me pellgun e lumit të Lepencit.
Gjatë këtij takimi, të dy ministrat kanë nënshkruar edhe një memorandum për thellimin e bashkëpunimit.
“Sot, me homologun tim biseduam për një memorandum bashkëpunimi, i cili tani më është i nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të dy shteteve. Por, sot tema e bisedës ishte që si ta zgjerojmë këtë memorandum bashkëpunimi. Gjithashtu biseduam edhe për një bashkëpunim të ndërsjellë dhe ndihmesën e Kosovës të shpalljes së malit Sharr park nacional”- deklaroi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë, Nurhan Izairi.
Sipas ministrit të Kosovës, Ferid Aganit, Kosova mund të përfitojë nga përvojat e Maqedonisë sa i përket legjislacionin në fushën e mjedisit me “Acquis Communitare”.
Por, gjithashtu Kosova shprehet e gatshme t’i japë ndihmë Maqedonisë në promovimin e legjislacionit rreth parkut nacional të Sharrit në territorin e Maqedonisë.
“Republika e Kosovës është në një aktivitet intensiv të përafrimit të legjislacionit të saj në fushën e mjedisit me “Acquis Communitare”, pra në legjislacionin e BE-së dhe në këtë drejtim përvoja, puna dhe rezultatet e deritanishme të institucioneve të RM-së do të jenë shumë të dobishme për ne dhe u dakorduam që të punojmë së bashku në këtë drejtim. Po ashtu, edhe projektet konkrete në fusha të caktuara, siç është ndihma që shteti ynë mund t’i japë RM-së në promovimin e legjislacionit rreth parkut nacional të Sharrit në Maqedoni"- tha ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Kosovës, Ferid Agani.
Takimi ishte në vazhdën e mbledhjes së qeverive të të dy vendeve, që pritet të realizohet së shpejti.
ERSAN PAJAZITI
