Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Taravari feston Bajramin me anëtarësinë

12.04.2024 13:45

Kandidati për president i koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, ka vazhduar me aktivitetet e fushatës zgjedhore...

Kandidati për president i koalicionit “Vlen”, Arben Taravari, ka vazhduar me aktivitetet e fushatës zgjedhore, me ç’rast mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup  së bashku me përkrahësit e tij shënuan festën e Fitër Bajramit. Taravari me këtë rast deklaroi se ky takim realizohet për t’i uruar njëri-tjetrit festën, por edhe për t’u koordinuar me anëtarësinë e partisë në lidhje me fushatën, duke e pasur parasysh se nuk është edhe shumë larg data e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.

“Për t’ia uruar njëri-tjetrit festën e Bajramit, njërën prej festave më të rëndësishme të njerëzve me përkatësi islame. Besoj që të bashkëbisedoj me anëtarësinë tonë dhe t’i tregojmë idetë për zhvillimin e kampanjës në ditën e ardhshme, sepse jemi shumë afër ditës së votimeve për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Pritshmëritë tona janë që të kalojmë në raundin e dytë, normalisht në fund vendos sovrani. Ne na mbetet ta bëjmë fushatën tonë dhe të kërkojmë përkrahje dhe mbështetje prej sa më shumë qytetarëve, por ditën e zgjedhjeve, sovrani është ai që vendos definitivisht kush kalon në raundin e dytë.”, - deklaroi kandidati për president, Arben Taravari.
 
Taravari, njëherit ka theksuar se dy pikat kyçe të programit të tij janë integrimi i Maqedonisë së Veriut në rajon dhe në Bashkimin Evropian. Ai thotë se do të iniciojë daljen e menjëhershme të vendit nga nisma “Ballkani i Hapur” dhe harmonizimi i plotë i politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, veçanërisht në lidhje me sanksionet kundër Rusisë janë pika kryesore të integrimin në rajon dhe Evropë. 
 
GAZMEND KURTISHI