Maqedoni
Kushtetuesja vendos kundër Angellovit, nuk do të ketë referendum për Ligjin për Amnisti
08.04.2015 17:32
Kreu i Lëvizjes “Dinjiteti”, Stojanço Angellov, pranoi sot vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese...

Kreu i Lëvizjes “Dinjiteti”, Stojanço Angellov, pranoi sot vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë si të paargumentuar kërkesën e Angellovit për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Referendum, përmes të cilit Angellovi dëshironte të hedhë poshtë Ligjin e Amnistisë për ish ushtarët e UÇK-së.
Angellov, edhe sot vazhdoi të vlerësojë se ky ligj u mundëson pjesëtarëve të UÇK-së të bartin funksione publike, si dhe që veteranët e UÇK-së të fitojnë status të barabartë me “branitellat”.
Ai ripërsëriti qëndrimin e “Dinjitetit”, por duke zbutur pak deklaratat e duke ndarë shqiptarët në të mirë e të këqij.
“Interpretimi autentik i Ligjit për Amnisti, të cilin e miratoi kjo përbërje parlamentare në krye me Nikolla Gurevskin, i cili në atë kohë ishte deputet, është diçka që nuk duhet të tolerohet dhe herët apo vonë duhet të procedohet. Ne si “Dinjiteti” edhe më tej do ta vazhdojmë këtë iniciativë, por jo në mënyrë të vrazhdë, e cila do të nxiste tensione ndëretnike. Unë jam i bindur se edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve i dënojnë ata keqtrajtues të njerëzve të pafajshëm. Iniciativa jonë nuk ka të bëjë me veteranët e UÇK-së, por me rreth 20 persona që kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke kryer vepra të egra që nuk vjetërsohen”- deklaroi kryetari i “Dinjitetit”, Stojançe Angellov.
Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë çdo dyshim rreth kushtetutshmërisë së neni 28 të Ligjit për Referendum, i cili ndalon mbajtjen e referendumit për çështje të caktuara, siç është Ligji i Amnistisë dhe ligjet e miratuara me Badenter.
Angellov, dy vjet më parë kërkoi edhe rishqyrtim të Ligjit për Organizim Territorial, i shqetësuar për, siç thoshte në atë kohë, shumicën shqiptare në Kërçovë e Strugë, që do tua jepte këto komuna shqiptarëve.
GYLTENE SINANI
