Maqedoni
Çarshia e Vjetër-vitrinat, shpenzimet i bart Komuna e Çairit dhe Ministria e Ekonomisë
08.04.2015 17:43
Vitrinat e 50 dyqaneve të Çarshisë së Vjetër të Shkupit do të marrin pamje autentike ngjashëm me vitrinat e Çarshisë së Sarajevës...

Kjo parashikohet të realizohet nëpërmjet një projekti të iniciuar nga Komuna e Çairit, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë. Tashmë është shpallur konkurs në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ku deri më 20 prill do të grumbullohen idetë më të mira.
“Kjo do të bëhet te ato dyqane ku pronarët e tyre do të kenë dëshirën për ta realizuar këtë projekt. Pra, në asnjë moment kjo nuk është një imponim. Në asnjë moment nuk do të imponohet një pamje krejtësisht e re e çarshisë, por përkundrazi, duam të kthejmë pamjen autentike të Çarshisë së Vjetër”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Ne kemi mbi 20 punëtori, që sot kanë vitrinat autentike mbi 100 vite dhe kuptohet se këto vitrina nuk do të preken aspak dhe ideja është që krejt ajo pjesa e bastarduar, e intervenuar, e rinovuar jo në mënyrë parimore dhe principiele sa i përket Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ajo pjesë do t’i nënshtrohet këtij intervenimi dhe do t’i kthehet autenticiteti i Çarshisë së Vjetër”- tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
Shpenzimet e projektit do të bien në kurriz të Ministrisë së Ekonomisë dhe Komunës së Çairit. 350 mijë euro janë ndarë për projektin.
300 mijë euro janë para të Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa pjesa tjetër nga fondet IPA, që i ka siguruar Komuna e Çairit.
“Informacionet të cilat u dhanë para disa ditësh nëpër mediume të ndryshme se gjoja Pushteti Qendror dhe Pushteti Lokal, më saktë Komuna e Çairit, do të mbulojnë harxhime me 5 mijë ose 10 mijë denarë për çdo vitrinë, ato janë dezinformata. Ajo që do të jetë projekt i përbashkët i Komunës së Çairit dhe Pushtetit Qendror është se të gjithë ata të cilët do të vendosin të bëjnë ndërrimin e vitrinave, të gjitha harxhimet do të jenë të mbuluara nga Komuna e Çairit dhe Pushteti Qendror”- u shpreh ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Në përpilimin e pamjes finale të vitrinave do të merret pëlqimi edhe i esnafit të Çarshisë. Projekti realizohet në korniza të Ligjit për Revitalizim dhe Mbrojtjen e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
MERAL ISMAILI
