Tiranë, Gonzato: Gjyqësori mbetet sfida kryesore

12.04.2024 19:19

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato...

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato i bën thirrje parlamentit Shqiptar të zgjedhë me urgjencë avokatin e popullit që ka mbetur peng i konsensusit politik prej dy vitesh. Sfidë sipas tij mbeten dosjet stok, ndërsa garantoi mbështetje ndaj SPAK.

“BE ka qenë një mbështetës i palëkundur dhe i fortë i Reformës në Drejtësi. Vijojmë me monitorimin e kësaj reforme. Ka disa çështje që kërkojnë vëmendjen tonë. Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore, pasi çështjet e mbartura në gjykata duhet të ulen. Ne presim jo vetëm punë të fortë por edhe vullnet politik. Nevojë urgjente që ka parlamenti për të trajtuar emërimin e Avokatit të Popullit, por edhe komisionerit të Anti-Diskriminimit.” – tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato

Për dy nga rekomandimet kryesore të BE-së, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimin e parave, Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe kryeprokurori, Olsjan Çela, thanë se është ecur me ritme të mira, por problem mbetet denoncimi i ulët i korrupsionit.

“Veprimtaria e SPAK në 2023 ka njohur një rritje cilësore që është vlerësuar edhe nga BE. SPAK gjatë 2023 ka luajtur një rol të rëndësishëm për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, një nga arsyet e këtij vendimi ka të bëjë me punën e SPAK, konfiskimin dhe pastrimin e parave.” – u shpreh  Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.

“Gjatë vitit 2023 rezultojnë se janë 32 çështje, të cilat janë dërguar SPAK nga Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ‘Në vetëm dy çëshje në një rast u sekuestruan llogaritë bankare të 15 shoqërive me vlerë 5.8 mln euro. Në çështjen e dytë u sekuestruan 1.8 mln euro” – deklaroi Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.

“Është shpejt për një institucion që ka tre vite të bëj një analizë statistikore dhe duhet një bazë më e gjerë. Ky nuk është se ka qenë një shqetësim i drejtpërdrejtë. Ka pasur një shqetësim në raportin analitik të SPAK që lidhet me garantimin solid te hetimeve prokative” – theksoi Bledi Çuçi, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së.

Ndërsa kryetarja e këshillit të integrimit, Jorida Tabaku, theksoi rëndësinë e zbatimit të vendimeve të drejtësisë nga politika si e vetmja mënyrë për të mbështetur reformën në drejtësi. (Luljeta Ndoka, TVM2)