TVM2: jemi në shërbim të qytetarëve, jo të politikës
Meqë TVM2 është atakuar drejtpërdrejt nga PPD, për të respektuar ata qindra votues që i dhanë votën PPD-së në zgjedhjet e fundit, vendosëm t’u përgjigjemi...

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ose “pronari”, siç ju e quani, i këtij “televizioni privat”, për herë të fundit në një emision në TVM2 ka qenë në tetor të 2012, po duket se edhe ju që atëherë nuk e keni ndjekur programin tonë.
Kanali i dytë i servisit publik është në shërbim të qytetarëve të Maqedonisë, prandaj e ka pasur obligim të ndjekë edhe ato 2 pres-konferenca që PPD i ka bërë që nga ringjallja, edhe kongresin… dhe kaq, në fakt pasi ne ndjekim vetëm ngjarjet që ju zhvilloni, por nuk marrim përsipër ne t’ju faktorizojmë në skenën politike shqiptare duke jua bërë ne ngjarjet.
Të nderuar drejtues të PPD-së. Për të respektuar emrin që ju mbani e që ka vlerë për shqiptarët, ne nuk jemi marrë me problemet tuaja të brendshme, por po presim t’i mbaroni ato, e të merreni më në fund me problemet e shqiptarëve.
Kur të filloni të punoni për shqiptarët me vepra konkrete, TVM2 do të jetë aty për t’ju ndjekur, sepse ky është misioni ynë.
Do të ishte mirë të lini pak anash lavdinë e shekullit të shkuar e të punoni për këtë shekull, sepse PPD është emër i madh për politikën shqiptare, e nuk ia vlen që dikush ta keqpërdorë për lartësim personal.
