Botë
Izraeli me sulme ajrore në Libanin Jugor, Gjermania tenton uljen e tensioneve
13.04.2024 18:48
Tensione në marrëdhëniet Iran Izrael, pasi Irani është zotuar se do ti kundërpërgjigjet sulmit të Izraelit...
Tensione në marrëdhëniet Iran Izrael, pasi Irani është zotuar se do ti kundërpërgjigjet sulmit të Izraelit mbi konzulatën iraniane në Damask. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit publikuan video duke treguar sulme ajrore që synonin një kompleks ushtarak që i përket grupit militant Hezbollah në Libanin jugor.
Sulmet vijuan pasi një ditë më parë Hezbollahu konfirmoi se kishte lëshuar dhjetëra raketa në Izrael, në mbështetje të popullit palestinez. Zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit Daniel Hagari me akuza ndaj Iranit si shkaktar i tensioneve.
“Irani është sponsori më i madh i terrorit në botë. Këtu nuk kërcënohet vetëm Izraeli, Gaza, Libani dhe Siria. Regjimi në Iran nxit luftën në Ukrainë dhe më gjerë. Irani do të mbajë pasojat nëse zgjedh të përshkallëzojë situatën më tej. Izraeli është në gatishmëri të lartë. Ne kemi rritur gatishmërinë tonë për të mbrojtur Izraelin nga agresioni i mëtejshëm iranian. Ne jemi gjithashtu të përgatitur të përgjigjemi”, u shpreh zëdhënësi i forcave mbrojtëse të Izraelit, Daniel Hagari.
Për të ç’tensionuar situatën ka ndërhyrë Gjermania. Ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock ka diskutuar me homologun e saj Iranian Hosein Amirabdollahin, duke tentuar ta bindë se shmangia e një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës në rajon është në interesin e të gjithëve.
Ushtria amerikane është zotuar se do ta mbështesë Izraelin. Në sulmin izraelit të 1 prillit mbi konsullatën iraniane në Damask u vranë 13 persona, përfshirë gjeneralë të Gardës Revolucionare iraniane.
MERAL ISMAILI
