Botë

Liderët e G7 dënojnë ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit

14.04.2024 14:03

Ndërsa pritet që presidenti Biden të mbajë një takim të liderëve të G7 gjatë ditës së sotme...

Ndërsa pritet që presidenti Biden të mbajë një takim të liderëve të G7 gjatë ditës së sotme, ka ardhur edhe reagimi i anëtarëve e G7 për sulmin iranian ndaj Izraelit.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka dënuar sulmin dhe e ka cilësuar atë të pamatur. Ai tha se sulmet "rrezikojnë të ndezin tensionet dhe të destabilizojnë rajonin", duke shtuar se Irani "ka demonstruar se synon të mbjellë kaos në oborrin e tij".

“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe atë të të gjithë partnerëve tanë rajonalë, përfshirë Jordaninë dhe Irakun. Krahas aleatëve tanë, ne po punojmë urgjentisht për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje”, deklaroi Sunak.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka thënë se vendi i tij "dënon pa mëdyshje sulmet ajrore të Iranit", duke shtuar se vendi i tij qëndron me Izraelin.

“Pas mbështetjes së sulmit brutal të Hamasit të 7 tetorit, veprimet e fundit të regjimit iranian do të destabilizojnë më tej rajonin dhe do ta bëjnë paqen e qëndrueshme më të vështirë”.

Ministri i Jashtëm francez Stephane Sejourne ka thënë se Franca "dënon në termat më të ashpër sulmin e nisur nga Irani kundër Izraelit".

Duke vendosur për një veprim të tillë të paprecedentë, Irani po ndërmerr një hap të ri në veprimet e tij destabilizuese dhe po merr rrezikun e një përshkallëzimi ushtarak”.

Ambasadori gjerman në Izrael Steffen Seibert tha: “Solidariteti i Gjermanisë është me të gjithë izraelitët sonte, të cilët Irani po terrorizon me këtë sulm të paprecedentë dhe të pamëshirshëm: hebrenjtë, si dhe arabët dhe të krishterët, beduinët në Negev si dhe druzët në Golan. Qofshin të gjithë të sigurt."

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i quajti sulmet të pajustifikueshme. “Të gjithë aktorët tani duhet të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të punojnë për të rivendosur stabilitetin në rajon”, tha Von der Leyen.