Zgjedhjet presidenciale 2024, Pendarovski tubim në Kumanovë
15.04.2024 11:21
Anëtarësimi i vendit në NATO, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe fillimi i negociatave me BE-në...

Anëtarësimi i vendit në NATO, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe fillimi i negociatave me BE-në, janë disa nga të arriturat e garniturës aktuale në pushtet, tha Stevo Pendarovski, i cili kërkon mandatin e dytë presidencial si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja për ardhmëri evropiane. Pendarovski mbrëmë u kërkoi kumanovarëve që të votojnë për të pasi që kjo është zgjidhja e vetme për të ecur vendi drejt BE-së dhe u zotua se do të jetë president i të gjithëve pa dallim përkatësisë etnike apo politike. Pendarovski fajësoi VMRO-në për bllokimin e ndryshimeve kushtetuese dhe rrugëtimin evropian.
“Në momentin kur filluam negociatat me BE-në, kur e përfunduam konferencën e parë në Bruksel, morëm një goditje të papritur nga brenda. E kishim të qartë se Bullgaria nuk dëshironte të na shoh në BE ose dëshiron të na shohë nën kushtet e tyre, që në këtë rast i binte që të heqim dorë nga identiteti dhe gjuha, mirëpo nuk besuam se partia më e madhe opozitare do ta bllokojë rrugëtimin tonë evropian vetëm për një arsye. Ata dëshirojnë me çdo kusht të vijnë në pushtet dhe të udhëheqin vendin pa kontroll, në kurrizin e popullit, mundësisht deri në pafundësi. Njëjtë si në kohën e regjimit, ku ata 11 vite në pushtet ishin nën kurrizin e qytetarëve, ishin në pushtet dhe kur ekzistonin vetëm dy kategori të qytetarëve, anëtarë të VMRO-së dhe të gjithë të tjerët.”, - deklaroi kandidati për president nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.
Pendarovski po ashtu u tha qytetarëve të Kumanovës se falë politikave të mira, janë stabilizuar dukshëm marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe vlerësoi se tashmë disa vite me radhë askush nuk flet për përkeqësimin e çështjeve etnike se mund të jenë burim i destabilizimit të vendit.
Karvani zgjedhor i kandidatit të LSDM-së dhe koalicionit “Për ardhmëri evropiane”, Stevo Pendarovski, nën moton “Presidenti ynë” sonte vazhdon me tubimet zgjedhore në vendbanimet Saraj, Çair, Gjorçe Petrov, ndërsa tubimi i kryesor i Pendarovskit do të zhvillohet në lagjen Autokomandë të komunës së Gazibabës. Qytetarëve të këtyre vendbanimeve, Pendarovski do t’ua prezantojë programin dhe ofertën e tij presidenciale për pesë vitet e ardhshme nëse arrin të merr mandatin e dytë.
Deri në fund të fushatës së rrethit të parë, karvani i Pendarovskit ka parashikuar të vizitojë gjithsej rreth 65 vendbanime në të 6 njësitë zgjedhore. Një ndër shtyllat kryesore të platformës së Pendarovskit janë hapërimi i vendit në rrugën eurointegruese, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe zotohet para qytetarëve se do të jetë President i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik apo politik dhe se do të jetë “urë lidhëse” mes liderëve politik për të gjetur konsensus për çështjet të cilat janë me interes shtetëror. (Rexhep Qamili, TVM2)
