Guteres: Lindja e Mesme përballet me kërcënim real
15.04.2024 10:32
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres...

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres, paralajmëroi se rajoni i Lindjes së Mesme po përballet me kërcënimin real të një konflikti në shkallë të gjerë. Këto paralajmërime, ai i bëri gjatë mbledhjes së mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit, në të cilën Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin se po kërcënojnë paqen në Lindjen e Mesme dhe se secili prej tyre i bëri thirrje këtij institucioni që të vendosë sanksione ndaj palës tjetër.
“Me rëndësi vitale është shmangja e çfarëdo aksioni që mund të çojë deri te konfrontimi ushtarak në më shumë fronte në Lindjen e Mesme. Civilët po e bartin barrën më të madhe, ndërsa po paguajnë çmim të lartë. Populli i rajonit po përballet me kërcënimin real të një konflikti shkatërrues në shkallë të plotë. Tani është koha që të ç’tensionohet situata.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Tensionet në Lindjen e Mesme, Izraeli dhe Irani fajësojnë njëri-tjetrin
Por, Izraeli dhe Irani fajësuan njëri-tjetrin për destabilizimin e situatës në rajon.
“Lufta është gjëja e fundit që Izraeli e dëshiron në rajon. Ne dëshirojmë paqe, normalisht gjithmonë i dëgjojmë partnerët tanë dhe aleatët. E respektojmë qëndrimin e tyre, do të ndërmarrim gjithçka që është e nevojshme ta mbrojmë popullin tonë.”, - deklaroi presidenti i Izraelit, Isak Hercog.
Ministri i Jashtëm iranian tha se sulmin hakmarrës në të cilin u lëshuan qindra drone dhe raketa, ishte minimalist.
“Qëllimi jonë në këtë akt legjitim të mbrojtjes është thjeshtë dënimi i regjimit izraelit. Ne nuk targetojmë individ amerikan apo baza në rajon.”, - u shpreh Hosein Amir Abdolahian nga MPJ i Iranit.
ShBA: Nuk duam luftë me Iranin
ShBA-ja nga ana tjetër ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë kundër çfarëdo aksioni ushtarak kundër Iranit.
“Izraeli ka dëshmuar se ka miq, se nuk është i izoluar në skenën globale. Ne e kuptojmë dhe respektojmë atë, por ne nuk kërkojmë luftë me Iranin, do të vazhdojmë t’i ndihmojmë Izraelit të mbrohet.”, - theksoi këshilli i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së, Xhon Kirbi.
Ndërkohë Izraeli ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Gazë gjatë natës, njofton Hamasi, përderisa ushtria izraelite tha se nuk do të shpërqendrohet nga lufta pas sulmit të paprecedent të Iranit që ka rritur frikën për një konflikt më të gjerë. Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për përmbajtje pasi Irani më 13 prill lëshoi mbi 300 dronë dhe raketa ndaj Izraelit, edhe pse ushtria izraelite tha se shumica e tyre janë shkatërruar.
Sulmi i parë direkt i Teheranit ndaj Izraelit, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi vdekjeprurës në Damask më herët gjatë këtij muaji, pas muajve të dhunës në mbarë rajonin ku janë përfshirë bashkëpunëtorët e Iranit, të cilët kanë thënë se po veprojnë në mbështetje të palestinezëve, për shkak të luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës. (Florije Kamberi, TVM2)
