Prishtinë, Forumi Ndërkombëtar “Gratë, paqja dhe siguria”

15.04.2024 12:07

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot liderët rajonalë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti liderët rajonalë në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që zhvillohet në Prishtinë. Osmani, me këtë rast tha se gradualisht po jetësohet rezoluta e shkruar mbi fuqizimin e gruas. Sipas saj, ky edicion është unik në shumë mënyra, sidomos sfidave me të cilat janë ballafaquar gratë dikur dhe me sfidat që ballafaqohen, na duhen leksionet e kohës, pa e harruar të kaluarën, dhunën seksuale gjatë luftës dhe ndryshimet klimatike e ndikimi i tyre te gratë.
 
“Ky forum është një fanar dhe udhërrëfyes duke kërkuar një botë ku të gjitha gratë dhe vajzat do të jetojnë të lira, në paqe dhe në prosperitet. Në një kohë kur konfliktet globale vazhdojnë, agjenda për gratë është e pashmangshme, prandaj jemi bërë bashkë për t’i diskutuar këto çështje, e ndërsa jemi sot bashkë, dua t’ju them se gratë në Kosovë me gjithë të kaluarën, kanë vazhduar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre, përfshirjen e tyre dhe mbi të gjitha janë këtu për ta ndihmuar njëra-tjetrën. Përzgjedhja e dy temave kyçe për këtë edicion, nga njëra anë dhuna seksuale në lidhje me konfliktin dhe siguria klimatike në anën tjetër, nuk janë rastësi dhe në përpjekjet tona natyrisht kemi adresuar të gjitha sprovat e kohës, por na duhen edhe leksionet e të kaluarës në mënyrë që të ballafaqohemi suksesshëm me të ardhmen.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Në këtë forum po merr pjesë edhe kryeministri, Talat Xhaferi, i cili tha se edhe Maqedonia e Veriut është fuqimisht e përkushtuar në zbatimin e agjendës “Gratë, paqja dhe siguria”.
 
“Si një vend aktiv anëtarë i NATO-s, ne mbështesim zbatimin e kësaj politike në tre synimet kryesore të aleancës dhe për këtë qëllim e kemi harmonizuar edhe planin tonë aksional me nismën përkatëse, akoma më e rëndësishme, ne në mënyrë thelbësore i implementojmë tre parimet e integrimit, gjithëpërfshirjes dhe integritetit në punën tonë të përditshme në politikat dhe udhëheqësin, sepse thelbi na udhëheq çdo ditë në marrjen e vendimeve politike, të cilat kanë një qëllim të vetëm që është t’i plotësojmë standardet drejt arritjes së barazisë gjinore.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Talat Xhaferi. 
 
Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja Osmani dhe zëvendësdrejtoresha e Zyrës së Sekretarit të Shtetit për Çështjet Globale të Grave, Katrina Fotovat, kanë nënshkruar memorandum të mirëkuptimit për Qendrën e Ekselencës për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë.
 
GYLTENE SINANI