Botë
Konflikti Iran – Izrael, OKB-ja fton në izolim të situatës
15.04.2024 16:56
Pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, Kombet e Bashkuara apelojnë për ruajte të qetësisë në Lindjen e Afërt...

Pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, Kombet e Bashkuara apelojnë për ruajte të qetësisë në Lindjen e Afërt. Bota nuk mund të përballojë një luftë tjetër në këtë rajon, thotë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Guterres. Mesazh i njëjtë përcillet edhe nga takimi i G7-shit. Ndërkohë forcat izraelite bombardojnë sërish kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën Qendrore.
“Është me rëndësi vitale që të shmanget çfarëdo lloj aksioni që mund të shpie në konfrontime luftarake në shumë fronte të Lindjes së Afërt. Qytetarët e bartin barrën më të madhe dhe paguajnë çmimin më të lartë. Kemi përgjegjësi të përbashkët që të parandalojmë eskalimin e mëtutjeshëm.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Tel Avivi nuk dëshiron konflikte, por qëndron fuqishëm pas mbrojtjes së popullit izraelit, deklaron presidenti i këtij vendi.
“Lufta është e fundit që e do Izraeli në rajon. Ne duam paqe dhe sigurisht i dëgjojmë partnerët dhe aleatët tanë, respektojmë qëndrimin e tyre. Për ta mbrojtur dhe ruajtur popullin tonë, do të ndërmarrim gjithçka që nevojitet.”, - theksoi kryetari i Izraelit, Isak Hercog.
Sulmi ndaj Izraelit ishte minimal dhe sinjal se nëse ky shtet kalon vijat e kuqe ndaj Iranit vijnë pasojat, thotë ministri i Jashtëm iranian.
“Qëllimi ynë në këtë akt legjitim të mbrojtjes është thjesht dënim i regjimit izraelit. Ne nuk targetojmë baza amerikane në rajon.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Iranit, Husein Amir Abdollahian.
Ndërkohë Uashingtoni qëndron pas deklaratës se ShBA-ja nuk do të marrë pjesë në ndonjë kundërofensivë kundër Iranit, por se do t’i ndihmojë Izraelit që të mbrohet. Për shkak të situatës së krijuar në Lindjen e Afërt, të martën ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian do të mbajnë një mbledhje urgjente.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
