Unioni Studentor Shqiptar emërtoi kryetarin e ri
Kuvendi i dytë zgjedhor i Unionit Studentor Shqiptar në Shkup, me 47 kuvendarë të pranishëm nga 64 sa ka gjithsej, me vullnet unanim dhe pa vota kundër dhe asnjë kundërkandidat zgjodhi për kryetar të ri të këtij organizmi Arben Ajrullahin, student i Universitetit Ballkanik...

Emërtimi i kryetarit të ri u bë pas prezantimit të raportit për punën dyvjeçare të kësaj organizate, si dhe aktiviteteve të realizuara brenda periudhës së kaluar. Në kuadër të punimeve të tij, Komisioni për Kandidim, i kryesuar nga studenti, Suat Berisha, fillimisht propozoi kandidatin e vetëm për kryetar. Në përzgjedhjen e kandidatit u morën parasysh të gjitha kriteret e caktuara në rregulloren, siç janë: suksesi në studime, raportet ndërshoqërore, si dhe dëshira dhe gatishmëria për punë dhe aktivitet vullnetar.
Arben Hajrullai është student i diplomuar në Shkencat e Informatikës, ndërsa aktualisht është student në drejtimin e Marrëdhënieve me Publikun dhe ndjek studimet për master në fushën e diplomacisë.
“Jemi nisur me bindjen se ne mund ta ndryshojmë të ardhmen, pasi ne jemi e ardhmja e shtetit, ne jemi fuqia, ne jemi guximi. Dhe pikërisht për këtë, do të vazhdojmë përpjekjet që në rrugën e dijes dhe hulumtimit të arrijmë cakun.
Është interesant fakti se çdoherë parashtrohet e njëjta pyetje: pse shpresa e vetme mbetet vetëm te studentët? Do të mundohem të përgjigjem në emër të së ardhmes së ngritur . Studentët janë të pavarur ekonomikisht ende nga shteti. Ata janë në pozitën më të mirë ku rriten dhe ngriten intelektualist, sepse gjeneratat e reja sjellin ide kreative, pa prapavija negative”- deklaroi kryetari i Unionit Studentor Shqiptar, Arben Ajrullahi.
Në ndërkohë, kryetari në largim, Daim Luci, si kryetar i parë i unionit u emërtua “kryetar nderi” me shumicë absolute votash nga kuvendarët. Kuvendi Zgjedhor i Studentëve u përshëndet edhe nga profesorët universitarë të pranishëm në sallë.( Arlinda Baftiu, TVM2)
