“Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”, 25 shqiptarë marrin vendime pune

09.04.2015 14:58

Kuadrit të ndërmarrjes “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” i shtohen edhe 25 shqiptarë, duke e ngritur kështu përfaqësimin e shqiptarëve në 10%...

Drejtori i ndërmarrjes, Irfan Asani, me rastin e nëntë prillit, “Ditës së hekurudhave”, ua ndau atyre vendimet. Të punësuarit janë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, si Shkupi, Kumanova, Likova, Tetova, Gostivari dhe Kërçova. Sipas Asanit, qëllimi i punësime të reja është të rritet numri i shqiptarëve,  por edhe të rifreskohet ndërmarrja që ai drejton me kuadër të ri.

“Për institucionin tonë paraqet një freskim i kuadrit, paraqet një nevojë në drejtim të arritjeve të mëtutjeshme. Normalisht se një grup i ri i personave të cilët do të fillojnë me punë që sot, me obligime të reja, të shpërndarë në një sipërfaqe të gjerë, normalisht ne presim inpute nga inkuadrimi i gjeneratës së re në institucionin tonë”- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura”, Irfan Asani.

Pjesa tjetër e kuadrit me punë do t’ia nisë nga 14 prilli. Drejtori Asani njofton se “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura” do të vazhdojë edhe në të ardhmen  me tërheqjen e kuadrove të  reja në  pozitat tek të  cilat do të  paraqitet nevoja, me qëllim të  ofrimit të shërbimit më cilësor në trafikun hekurudhor.(Meral Ismaili, TVM2)