Botë

Gaza veriore, ushtria izraelite nuk lejon kthimin e banorëve

16.04.2024 12:57

Ushtria izraelite nuk lejon kthimin e palestinezëve në veri të Gazës....

Ushtria izraelite nuk lejon kthimin e palestinezëve në veri të Gazës. Dëshmitarët dhe zyrtarët shëndetësorë thanë se ushtarët izraelitë hapën zjarr dhe vranë pesë persona, në mesin e tyre edhe banorë të zhvendosur të cilët po tentonin të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
 
Izraeli, që ka reduktuar numrin e ushtarëve në mbarë Gazën, vazhdimisht ka kundërshtuar thirrjet që të lejojë palestinezët të kthehen në veri të territorit, duke argumentuar se luftëtarët e Hamasit po vazhdojnë të operojnë në atë zonë. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, shkroi në X, se palestinezët duhet të qëndrojnë në jug të Gazës, pasi tha se veriu “është zonë luftuese e rrezikshme”.
 
Ndërkohë në orët e vona të së hënës, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, u takua me zyrtarët kryesorë që po punojnë në përgatitjet për pushtimin në Rafah, tha zyra e tij. Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë ShBA-në, ka kundërshtuar ofensivën e planifikuar, duke thënë se do të rrezikonte 1.4 milionë palestinezët që vlerësohet se janë strehuar në Rafah. Zyra e Gallantit tha se në takim është diskutuar edhe për planet për evakuimin e civilëve dhe zgjerimin e dërgesave ushqimore dhe pajisjeve mjekësore në Gazë. Izraeli po ashtu paralajmëron se do t’i përgjigjet sulmit që Irani e kreu kundër tij me dronë dhe raketa në fundjavë. Paralajmërimi erdhi nga general-lejtënant Herzi Halevi, i cili nuk shpjegoi se si do të realizohet kundërpërgjigja izraelite.