Botë
Korniza negociuese e BE-së, integrimi i Serbisë kushtëzohet me Kosovën
16.04.2024 14:24
Zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën...

Zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, bëhet pjesë përbërëse e kapitullit 35 të kornizës negociuese të Serbisë për Kosovën. Në dokumentin e miratuar nga ambasadorët e 27 vendeve të BE-së thuhet se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen shkurtin e vitit të kaluar në Bruksel dhe më pas në mars në Ohër kanë arritur pajtimin për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Në dokument u tha se zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë pjesë përbërëse e kushtëzimeve në rrugën e të dyja shteteve drejt integrimit në BE. Në tekstin e ri të kornizës negociuese si kusht është vendosur kjo fjali: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023.”.
BE-ja insiston se marrëveshja dhe aneksi, pavarësisht se nuk janë nënshkruar nga palët, janë obligime ligjore për të dyja vendet. Propozimi për të ndryshuar kapitullin 35 të kornizës negociuese për Serbinë e ka bërë Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së, pasi një gjë e tillë ishte kërkuar nga shtetet anëtare të BE-së. Përparimi në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën edhe më herët kishte qenë pjesë e kushtëzimeve në negociatat e anëtarësimit të Beogradit në BE, por tani në mënyrë specifike përmendet kushti i zbatimit të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar.
GYLTENE SINANI
