Maqedoni

Shëndetësi, specializantët vazhdojnë me grevë

16.04.2024 14:04

Specializantë privatë të qendrës klinike kanë vazhduar me grevë...

Specializantë privatë të qendrës klinike kanë vazhduar me grevë, ndërkaq hapat e mëtutjeshme të tyre varen nga vendimet qeveritare. Kërkesa e tyre mbetet beteja për një pagë më të mirë dhe rregullimi  i marrëdhënies së punës. Demantojnë se pas grevës së tyre qëndron politika. Kërkojnë garanci me shkrim, ndryshe nuk tërhiqen nga vazhdimi i grevës.
 
“Është e turpshme që një mjek të mos ketë sigurim shëndetësor dhe nuk ka asnjë politikë që duhej të na motivonte që t’i kërkojmë të drejtat themelore njerëzore, të cilat i kemi të garantuara me Kushtetutë. Unë nuk kam librezë nga asnjë parti politike, libreza e vetme të cilën e kam në shtëpi është ajo e gjakut që më shkruan, zero pozitiv.”, - deklaroi specializantja private e Mjekësisë Interne, Hristina Ilioska.
 
Këta specializantë gjejnë mbështetjen e qytetarëve, të cilët dëshmojnë përvojën e hidhur me pritjen para klinikave me orë të tëra. Ata vërejnë edhe mungesën e kuadrove.
 
“Në Onkologji është tmerri që s’durohet. Njerëzit presin me orë që të vijnë te hemoterapia, aq më tepër kur hyjnë pa rend. Bëjeni punën që këta njerëz të pranohen dhe të mos rrinë këtu. Përse të mos jenë të punësuar, përse të mos iu regjistrohet përvoja sikur të gjithë njerëzve të tjerë. Të bëhet diçka për këta njerëz që t’i mbajmë këtu.”, - tha një qytetar.
 
Nëpër klinika specializantët kujdestarojnë, punojnë dhe ndihmojnë në intervenime për pagë prej 26 mijë denarësh. Sipas të dhënave të shoqatës së mjekëve të Maqedonisë, për çdo vit diku 250 mjekë e lëshojnë vendin të cilët ikin në vendet perëndimore për një punë profesionale më dinjitoze.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU