Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2024, Vankovska viziton disa komuna në Shkup
16.04.2024 15:15
Kandidatja për presidente nga “E Majta”, Biljana Vankovska, realizoi takime me qytetarët në Shkup...

Kandidatja për presidente nga “E Majta”, Biljana Vankovska, realizoi takime me qytetarët në Shkup. Ajo vizitoi edhe tregun e gjelbër dhe për së afërmi u njoftua me problemet me të cilat ballafaqohen shitësit në këtë treg. Ajo para mediave është shprehur se Qeveria nuk është korrekte me rekomandimin që ditën e zgjedhjeve të lirohen nga puna vetëm të punësuarit në administratën publike, e jo edhe të punësuarit në sektorin privat. Vankovska këtë e sheh si diskriminim.
“E prezantova jo vetëm programin presidencial, por edhe të rregullave zgjedhore. E morëm njoftimin nga Qeveria për ditën e votimit që është paraparë të jetë ditë e lirë vetëm për administratën publike. Vlerësoj se është një kusht i padrejtë. Praktikisht të gjithë punëdhënësit privat do të mund t’u pamundësojnë qytetarëve që të largohen nga vendi i punës për të dalë në votim, varësisht nga rrethanat që do t’i kenë në atë moment. Prandaj, thash që Shkupi është qytet ku gërshetohen banorë të rajoneve të ndryshme, ndërsa e dini fort mirë që ligji zgjedhor kërkon të votohet në vendin ku është lëshuar letërnjoftimi.”, - deklaroi kandidatja për presidente nga “E Majta”, Biljana Vankovska.
Nëse zgjidhem president, thotë Vankovska, do të ndërmarr aktivitete në drejtim të pajtimit dhe bashkimit të brendshëm. Kjo do të thotë se qëllimi primar i presidentit është krijimi i klimës për tejkalimin e ndarjes së thellë jo vetëm mes maqedonasve, por edhe në marrëdhëniet ndëretnike. Fytyra e presidentit është fytyra e të gjithë kombit, pavarësisht dallimeve individuale dhe grupore.
SANIJE DURAKU
