PPD akuzon TVM2: Servisi publik, televizion privat i Ali Ahmetit
Partia për Prosperitet Demokratik akuzon Radio Televizionin e Maqedonisë se është ndërruar në televizion partiak të VMRO-së dhe BDI-së...

Madje, TVM 2, sipas PPD-së, është në një situatë më tragjikomike se kanali i parë i servisit publik, pasi po kryen një mision në kundërshtim me atë që shqiptarët e presin dhe në kundërshtim të plotë me angazhimin e këmbëngulshëm të PPD-së në vitet e 90-ta të shekullit të shkuar, për krijimin e një servisi publik me program vetanak dhe të pavarur nga politika.
PPD vlerëson se TVM2 është një servis privato-partiak i Ali Ahmetit dhe ministrave të tij, i cili është vënë në funksion të ngulfatjes së proceseve demokratike në vend dhe afirmimit të direktivave dhe aktiviteteve partiake të BDI-së.
TVM2 duhet të jetë e vetëdijshme se paratë që me zor qeveria ua merr qytetarëve me bllokimin e llogarive të tyre nuk duhet keqpërdorur për propagandë partiake.
PPD njëherit e përkujton edhe Ali Ahmetin se ai vetë nuk duhet të lejojë që prej tij nga TVM2 të krijohet një idhull, ashtu si po bën TVM2 duke bërë paraqitje rekord të Ahmetit në ekranin publik.
