Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2024, Pendarovski në Shkup: Të mobilizohemi të gjithë
16.04.2024 15:25
Kandidati i koalicionit “Për ardhmëri evropiane”, Stevo Pendarovski, vazhdoi fushatën e tij zgjedhore në Saraj, Çair...

Kandidati i koalicionit “Për ardhmëri evropiane”, Stevo Pendarovski, vazhdoi fushatën e tij zgjedhore në Saraj, Çair, Gjorçe Petrov dhe Autokomandë, ku qytetarëve u kërkoi që më 24 prill dhe 8 maj masovikisht të mobilizohen dhe pa kurrfarë hamendje të rrethojnë numrin një, sepse sipas tij në këtë mënyrë garantohet e ardhmja e sigurt evropiane për ta dhe për vendin. Pendarovski vlerësoi se nga rezultatet e dala në rrethin e parë, do të dihet edhe rezultati i dy cikleve zgjedhore më 8 maj, respektivisht do të dihet përcaktimi i vendit, a do të vazhdojë rrugëtimi euroatlantik i vendit apo do të kthehet prapa.
“Është shumë më rëndësi që masovikisht të mobilizohemi më 24 prill, sepse unë jam i sigurt se nga rezultatet e dala që nga rrethi i parë do të dihen edhe rezultatet për të dy palë zgjedhjet më 8 maj. Nëse ne dëshmojmë se Maqedoninë duhet ta shohim evropiane, progresive, të zhvilluar, me njerëz të rinj përreth nesh dhe jo t’i kërkojmë në internet dhe në skajp t’i shohim ata, dhe nëse jemi shumicë e sigurt, kjo do të jetë rrethana lehtësuese më 8 maj, që të mbarojmë punën tonë. Të mos lejojmë reciklim të regjimit të kaluar apo kthimi i të kaluarës së errët. Kjo është rruga jonë, e cila ashtu siç është multietnike, multireligjioze, multikulturore mund të mbijetojë dhe të prosperojë ku të gjithë ne do të jemi të barabartë para ligjeve.”, - deklaroi kandidati për president nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, Pendarovski hodhi poshtë akuzat e liderit të VMRO-së, Hristijan Mickoski, se kinse ai në të kaluarën ka pasur takime të fshehta për t’i amnistuar disa politikanë. Tha se këtë gjë nuk e ka bërë dhe asnjëherë nuk do t’i shkojë ndërmend për ta bërë edhe nëse merr mandatin e dytë presidencial. Pendarovski konsideron se gjatë mandatit të tij të parë, ai ka dëshmuar se ka qenë dhe do të mbetet President i të gjithëve, pa dallim të përkatësisë etnike, politike apo fetare.
Pendarovski do të takojë banorët e Velesit
Karvani i kandidatit presidencial të koalicionit për Ardhmëri Evropiane, të udhëhequr nga LSDM, Stevo Pendarovski, me moton “Presidenti Ynë” sonte vazhdon me tubimet e parashikuara zgjedhore në kërkim të mandatit të dytë me takimet dhe tubimet e parapara të mbahen në Veles, Çashkë dh Shën Nikollë. Me qytetarët e këtyre vendbanimeve, Pendarovski do të bashkëbisedojë për t’ua prezantuar programin dhe ofertën e tij presidenciale, ndërsa ata do të kenë edhe mundësinë që të parashtrojnë pyetje.
Deri në fund të fushatës së rrethit të parë, karvani i Pendarovskit i mbështetur nga LSDM, ka parashikuar të vizitojë gjithsej rreth 65 vendbanime në të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore. Një ndër shtyllat kryesore të platformës së Pendarovskit, është hapërimi i vendit në rrugën euro integruese, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe zotohet se do të jetë President i të gjithë qytetarëve, si dhe “urë lidhëse” mes liderëve politik për të gjetur konsensus politik për çështjet të cilat janë me interes shtetëror.
REXHEP QAMILI
