Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2024, Osmani shpalosi pesë zotime në Dibër
16.04.2024 15:35
Kandidati për president nga "Fronti Evropian", Bujar Osmani, në tubimin në qytetin e Dibrës...

Kandidati për president nga "Fronti Evropian", Bujar Osmani, në tubimin në qytetin e Dibrës kërkoi mbështetje për pesë zotimet e tij si president i ardhshëm. Integrimi Evropian është kryefjala e këtij fronti dhe e këtij procesi zgjedhor, u shpreh Osmani. Zotim të dytë tha se kanë partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si zotim të tretë, përmendi procesin e vetingut, ku tha se nuk do të ketë Qeveri pa marrëveshje për veting për të gjithë bartësit e funksioneve pubike. Zotim i katërt është një Marrëveshje e re e Ohrit për ekonomi, që ka për qëllim rritjen e standardit jetësor, ndërsa si zotim të pestë renditi arsimin, si sferë jetike për cilësi dhe kapital njerëzor.
“Zotimi i parë i imi është Evropa deri në vitin 2030. Nëse kam pasur mundësi që si ministër i Jashtëm të hap bisedimet me BE-në pas shtatëmbëdhjetë viteve pritje, besoni se mundem si president i shtetit të rrumbullaksoj anëtarësimin në BE për pesë vitet e ardhshme. Do ta fus të gjithë potencialin e “Frontit Evropian”, të gjithë dijen time, përvojën time, njohjen nga proceset që i kam udhëhequr dhe kontaktet e mia nëpër botë që ta bëjmë këtë të realizueshme në pesë vitet e ardhshme dhe po zotohem para jush se kjo do të bëhet.”, - deklaroi kandidati për president nga "Fronti Evropian", Bujar Osmani.
Anëtarësimi në BE do t’i ndalë të rinjtë mos ta lëshojnë vendin e tyre dhe do t’i kthejë ata që janë larguar. Anëtarësimi në BE do ta kthejë dinjitetin e çdo familjeje, cilësinë e jetës tonë në të gjitha sferat e jetës, tha Osmani. Ripërsëriti ftesën ndaj kandidates së VMRO-DPMNE-së për debat, Gordana Siljanovska Davkova.
Osmani me aktivitete në komunën Qendër Zhupë
Kandidati për president i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, ka realizuar aktivitete parazgjedhore edhe në komunën Qendër Zhupë, ku mori përkrahjen edhe nga Partia Demokratike Turke, e cila është pjesë e “Frontit Evropian”. Kjo që ka ndodhur me “Frontin Evropian” është një nga gjërat më të rëndësishme në vend, ka deklaruar me këtë rast Osmani, i cili theksoi se ky është koalicion i njerëzve të cilët në lëkurën e tyre e kanë ndjerë padrejtësinë, diskriminimin dhe përjashtimin, prandaj të gjithë u bashkuam në një platformë, e cila nuk ka asnjë qëllim të keq, ka për qëllim mundësi të barabarta për të gjithë.
Nga “Fronti Evropian” njëherit theksojnë se deshi apo jo LSDM-ja dhe VMRO-ja, Presidenti i ardhshëm do të zgjidhet në Kuvend. Nga BDI-ja dhe “Fronti Evropian” thonë se ashtu siç u bë Kryeministri i parë shqiptar, do të bëhet edhe Presidenti i parë shqiptar. Ata theksojnë se koalicioni i gjerë multietnik ka dëshmuar se politikat e BDI-së kanë qenë dhe janë për barazi të plotë për të gjithë qytetarët, me synimin për anëtarësim sa më të shpejtë në BE.
FLORIJE KAMBERI
