Itali, masakër në gjykatën e Milanos: 4 viktima, mes tyre një gjyqtar e një avokat

09.04.2015 15:18

Gjykata e Milanos në Itali përjetoi një masakër të vërtetë, ku një person i armatosur ka hapur zjarr, duke u marrë jetën katër personave të tjerë...

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave, dy nga viktimat janë një gjykatës dhe një avokat, ndërkohë që raportohet edhe për një tjetër person të plagosur. Dëshmitarët tregojnë se kanë dëgjuar të shtëna arme dhe kanë parë njerëz të tmerruar që vraponin për të dalë nga gjykata.

"Ne dëgjuam tre nga katër të shtënat, ngjante sikur të kishte rënë ndonjë dollap. Ne ishim në katin e tretë, njerëzit filluan të iknin dhe u zhvillua një skenë panike”- u shpreh gazetari dhe dëshmitari, Sandro De Riccardis.

"Pashë një djalë të ri, diku 20 vjeçar, i cili ra në tokë, i qëlluar për vdekje drejt në zemër. Vrasësi kishte në shënjestër prokurorin publik, ndërsa djaloshi ishte rastësisht aty, me siguri. Avokati i vrasësit tha se kishte edhe dy trupa të tjerë të shtrirë afër tavolinës”- tha një gjykatës-dëshmitar.

Vrasësi, Claudio Giardiello, kishte arritur të dilte nga gjykata dhe të largohej me një motor, edhe pse godina ishte e rrethuar dhe të gjitha dyert e saj ishin të mbyllura. Por, postoblloqet e ngritura në rrugë e kanë penguar që të shkojë larg.

Personi në fjalë, sipas Agjencisë së Lajmeve “Ansa”, është një shtetas italian i akuzuar për krime ekonomike. Sipas rrëfimeve të avokatëve të pranishëm në sallën e gjyqit, ai hapi zjarr pasi avokati i tij mbrojtës hoqi dorë nga mandati.

Ai qëlloi fillimisht dëshmitarin, dy persona të ulur në stolat e rezervuar për publikun dhe më pas vrapoi jashtë sallës, duke ndjekur gjyqtarin dhe duke e qëlluar atë në katin e dytë të ndërtesës. (Leunora Kaliqi, TVM2)