Botë

Asambleja voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

17.04.2024 09:40

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë....

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKiE) miratoi Opinionin pozitiv për anëtarësimin e Kosovës si shtet anëtar.
 
Për votuan 171 deputetë, kundër ishin 29 kurse 11 abstenuan.
 
Ky Opinion rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës, pa asnjë parakusht shtesë, si shtet evropian sipas nenit 4 të Statutit dhe duke hequr fusnotën nga denominimi. Tani fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave gjatë muajit maj. Paraprakisht, raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, deputetja greke, Dora Bakoyannis, e arsyetoi në Asamblenë Parlamentare raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo mes tjerash tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale.
Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.
 
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është shprehur mirënjohëse për deputetët që po mbështesin raportin e Dora Bakoyannis.
 
“Në Strasburg po ndjekim me shumë interes dhe emocion debatin e Asamblesë së Përgjithshme të KiE rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE. Mirënjohës për mbështetjen e fortë nga deputetët në të gjithë vendet, të cilët po mbështesin rekomandimin pozitiv të raportueses Bakoyannis”, ka shkruar ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në platformën 'X'.
 
Paraprakisht, Asambleja i rrëzoi një nga një amandamentet e propozuara nga Serbia. Asambleja hodhi poshtë edhe amandamente që kërkonin formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përpara se Kosova të anëtarësohej në KiE.