7 vjetori i Kushtetutës së Kosovës, Bajrami: Kushtetuta ende nuk vepron në veri
Kosova ka shënuar 7 vjetorin e miratimit të kushtetutës së saj si shtet i pavarur. Arsim Bajrami, njëri nga hartuesit e kësaj kushtetute, njëherit edhe ministër i Arsimit, thotë se kushtetuta në këtë periudhë është përballur me tri sfida, shtrirjen në tërë territorin, e cila ende nuk ka ndodhur, shkeljet e kushtetutës, si dhe të drejtat e pakicave...

“Tri kanë qenë sfidat e kushtetutës sonë. E para është shtrirja në tërë territorin e Kosovës, pra neni 1, paragrafi 1, ku kemi thënë tërësia unike territoriale dhe mund të themi se kjo nuk është realizuar tërësisht, sepse ende në pjesën veriore kushtetuta jonë nuk vepron me krejt fuqinë e saj”- deklaroi hartuesi i Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami.
Sa u përket shkeljeve kushtetuese, Bajrami thotë se ato janë bërë për shkak të “ambicieve për pushtet” të politikanëve. Madje, ai ka thënë se për 7 vite në Kosovë ka pasur shkelje të kushtetutës më shumë se sa në SHBA për 230 vite.
“Për 7 vjet kemi pasur shkelje që Amerika nuk i ka pasur në 230 vjet. Pra, dy president të larguar, disa ligje të suprimuara, kriza e fundit politike, ku shtatë muaj kemi qenë pa institucione dhe është kërkuar që “shkopin magjik” ta përdor Gjykata Kushtetuese. Pra, ku është faji? Unë mendoj si autori i kushtetutave që prej viteve 90-ta, që nuk është faji tek teksti i kushtetutës, por fajin e kanë ambiciet e politikanëve për të ushtruar poste politike kundër kushtetutës”- theksoi Bajrami.
Ndërsa sa u përket të drejtave të pakicave në Kosovë, Bajrami tha se veçmas pakica serbe po përdor të drejtat kushtetuese jo për të mbrojtur të drejtat e këtij komuniteti, por për të bllokuar Shtetin e Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)
