Zyrtari i MPJD-së, Haxholli për Serbinë: Bllokoi autobusë nga Kosova në kufi me Kroacinë
Sekretari në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli...

Sekretari në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se autoritetet në Serbi që nga mesnata “po mbajnë të bllokuar” së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë nga Kosova.
Sipas tij, bllokimi i autobusëve në pikëkalimin kufitar Batrovci, që lidh Serbinë me Kroacinë, është bërë “në shenjë hakmarrjeje dhe nervozizmi absurd” ndaj votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
“Bllokimi i më shumë se 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.
Haxholli tha se pasi që Zyra Ndërlidhëse serbe është duke komunikuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës, duke shtuar se synon që të udhëtojë drejt pikëkalimit kufitar Serbi-Kroaci për të parë nga afër gjendjen e qytetarëve të Kosovës që mbeten të bllokuar atje.
