Jemen, paralajmërohet Irani nga ShBA-të për situatën
Irani paralajmërohet nga ShBA-të kundër mbështetjes për rebelët shiitë Huthi në Jemen, duke shtuar se ata nuk do të vëzhgojnë situatën përderisa Teherani destabilizon rajonin...

Paralajmërimi nga sekretari amerikan i shtetit vjen derisa Teherani bën thirrje për bisedime paqësore për zgjidhjen e krizës në Jemen dhe se Uashingtoni ka njohuri se Irani është duke ndihmuar rebelët në Jemen.
“Jemi shumë të shqetësuar me atë që po ndodh atje. Jemi të vetëdijshëm për mbështetjen që Irani i jep Jemenit. Irani duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëjnë “sehir” nëse rajoni destabilizohet ose njerëzit angazhohen në luftë të hapur. Ne nuk kërkojmë konfrontim, natyrisht. Por, nuk do të largohemi nga aleancat tona, miqësitë tona dhe nevoja për të qëndruar me ata që ndjehen të kërcënuar si pasojë e zgjedhjeve që mund të bëjë Irani”- deklaroi sekretari amerikan, John Kerry.
ShBA ka rritur mbështetjen për koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili sulmon caqet e rebelëve shiitë Huthi në Jemen. Irani, i cili mohon se u ka ofruar ndihmë rebelëve Huthi, ka dërguar një shkatërrues ushtarak dhe një anije tjetër në ujërat pranë Jemenit.
Sot, në një fjalim televiziv, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka kërkuar ndalimin e fushatës së sulmeve ajrore në Jemen, e cila ka dy javë që ka nisur, ndërsa vendet në rajon duhet të punojnë për të sjellë fraksionet rivale të Jemenit në tryezë të bisedimeve.
“Një vend i madh si Jemeni nuk do t’iu gjunjëzohet bombardimeve. Të mendojmë për fundin e luftës, të mendojmë për armëpushim”- tha presidenti i Iranit, Hassan Rohani.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se së paku 560 njerëz janë vrarë dhe rreth 1,700 të tjerë janë plagosur në Jemen në periudhën prej 19 marsit e deri më 4 prill. Po ashtu, rreth 100,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre. (Leunora Kaliqi, TVM2)
