Izraeli godet mbi 40 objektiva në Rripin e Gazës, OKB me thirrje për të ndihmuar palestinezët
Forcat ajrore të Izraelit...

Forcat ajrore të Izraelit thanë se goditën më shumë se 40 objektiva në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, duke përfshirë raketahedhës të gatshëm për të sulmuar Izraelin.
Ushtria shtoi se anëtarët e Brigadës Nahal përdorën një dron për të vrarë një person të armatosur dhe eliminuan një tjetër me një snajper.
Në Deklaratën e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit u theksua se sulmet goditën objektet nëntokësore të raketave, ndërtesat ku ishin fshehur minat, objektet e operativëve të Hamasit, postat e vëzhgimit, vendet nëntokësore dhe infrastrukturë tjetër.
Ndërkohë, Kombet e Bashkuara bën thirrje për 2.8 miliardë dollarë për të ofruar ndihmën e nevojshme për 3 milionë palestinezë, duke theksuar se luftimi i urisë në Gazën e shkatërruar nga lufta nuk kërkon vetëm ushqim, por edhe ndërtimin e kanalizimeve dhe impianteve të ujit, si dhe ndërtesave shëndetësore.
Ndërkohë Andrea De Domenico, kreu i Zyrës humanitare të OKB-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor, u tha gazetarëve kjo nuk mund të bëhet në kohën kur operacionet ushtarake po vazhdojnë në enklavën palestineze.
Sipas tij, Izraeli ka premtuar se do të hapë më shumë pika kufitare në Gazë dhe do të rrisë dërgesat me ndihmë humanitare, pasi në një sulm me dronë u vranë shtatë punëtorë të ndihmës nga organizata Kuzhina Qendrore Botërore, të cilët më 1 prill ishin duke dërguar ushqim në këtë territor.
