Botë
Serbia bllokon 11 autobusë me 300 kosovarë, MPJ-ja apel qytetarëve, shmangni kalimin nëpër Serbi
17.04.2024 13:31
Nga mesnata Serbia po i mban të bllokuar mbi 300 qytetarë të Kosovës në kufirin e saj me Kroacinë...

Nga mesnata Serbia po i mban të bllokuar mbi 300 qytetarë të Kosovës në kufirin e saj me Kroacinë. Këtë e ka konfirmuar sekretari i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli. Ai tha se kjo po ndodh “në hakmarrje dhe nervozizëm absurd” nga votimi në Asamblenë Parlamentare pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin “ky është një urdhër nga Beogradi”.”, shkroi Haxholli.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Brendshme u kanë bërë apel qytetarëve të Kosovës që të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi, ndërsa e kanë konsideruar arbitrare bllokimin e kosovarëve në zonën neutrale mes Serbisë dhe Kroacisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi. MPJ-ja dhe MPB-ja janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë.”, thuhet në reagim.
Bëhet fjalë për bllokimin e 11 autobusëve me rreth 300 udhëtarë. Bllokada ka ndodh prej orës 3 të mëngjesit në hyrje të Serbisë në Batrovci dhe në dalje të Kosovës, te Dheu i bardhë.
GYLTENE SINANI
