Maqedoni
Partitë politike nënshkruan kodin për zgjedhje demokratike
17.04.2024 15:29
Partitë politike nënshkruan kodin për zgjedhje fer dhe demokratike...

Partitë politike nënshkruan kodin për zgjedhje fer dhe demokratike. Kreu i KShZ-së konsideron se me këtë dokument dërgohet porosia për sjellje fer dhe demokratike. Sipas tyre, partitë do të ruajnë integritetin e procesit zgjedhor, nuk do të shfrytëzohet gjuha e urrejtjes, do të shmanget diskriminimi dhe nuk do të ndikohet ndaj të punësuarve në administratën shtetërore.
“Me vetë prezencën tuaj këtu dhe me nënshkrimin e këtij kodi, ju tregoni përkushtimin tuaj për zgjedhje të lira dhe ndershme. Nënshkrimi juaj sot dëshmon përkushtimin dhe bindjen se forca e demokracisë sonë qëndron në prioritetin tonë kolektiv për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.”, - deklaroi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Edhe përkundër prezencës së tyre, dy subjekte politike nuk firmosën kodin, pasi konsiderojnë se padrejtësisht janë ndarë financat shtetërore për realizimin e fushatës dhe nuk besojnë se dita e votimit do të reflektojë korrektësi.
Jo të gjitha subjektet pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare nënshkruan kodin për mbarëvajtje të zgjedhjeve, në mesin e tyre Stevçe Jakimovski dhe nga partia “Demokratët”. Përfaqësuesit e këtyre partive nuk janë të bindur se zgjedhjet do të realizohen në një atmosferë fer dhe demokratike.
Fushata për parlamentaret nis nesër dhe për disa ditë përputhet me zgjedhjet presidenciale. Në zgjedhjet parlamentare po garojnë 17 subjekte, nga të cilat 5 koalicione.
MERAL ISMAILI
