Kroacia, avokate e Kosovës në Bruksel
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci, ka takuar presidenten kroate, Grabar-Kitaroviq, dhe kryeparlamentarin kroat, Josip Leko...

Ky i fundit ka thënë se Kroacia ka qenë dhe mbetet promotore e fuqishme e liberalizimit të vizave dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Deputetët tanë në Parlamentin Evropian e kanë mbajtur gjithmonë lartë në agjendën tonë çështjen e Kosovës. Do të vazhdojmë të jemi avokat të Kosovës në Bruksel”- ka thënë Leko.
Thaçi nga ana tjetër ka thënë se Kosova vazhdon të fuqizojë subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Kroacia për ne ishte partnere shumë e rëndësishme në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit dhe e çmojmë shumë përkrahjen e deritashme, por llogarisim ende në përkrahjen tuaj parlamentare, sidomos në lobim tek shtetet që nuk na njohin dhe në anëtarësimin në Këshillin e Evropës”- ka thënë Thaçi.
