Botë
Tensionohet situata mes Izraelit dhe Iranit, sulme izraelite në Gazë, dhjetëra të vdekur
17.04.2024 16:43
Tensionet mes Izraelit dhe Iranit për Rripin e Gazës janë duke u shtuar dhe paraqesin një kërcënim për të gjithë Lindjen e Mesme...

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit për Rripin e Gazës janë duke u shtuar dhe paraqesin një kërcënim për të gjithë Lindjen e Mesme. Presidenti i Iranit tha se çdo tentativë e Izraelit për invazion, qoftë ajo mjaft e vogël, do të këtë kundërpërgjigje të ashpër.
“Derisa regjimi zionist përpiqet të bëjë qoftë edhe një invazion të vogël kundër vendit tonë apo interesave tona strategjike, izraelitët duhet të jenë të sigurt se do të përballen me kundërpërgjigje masive dhe shumë të ashpër.”, - deklaroi kreu i Iranit, Ebrahim Raisi.
Izraeli iu përgjigj kësaj deklarate me përçmim, duke thënë se Irani nuk ka potencial ta mposhtë ushtrinë e Izraelit.
“Irani nuk ka potencial të shkatërrojë artileritë tona dhe as të përballet në luftë kundër shtetit të Izraelit. Forcat ajrore izraelite operojnë kudo. Qielli është i hapur në të gjithë Lindjen e Mesme dhe çdo armik që do të dalë kundër nesh, kudo qoftë i njëjti, ne dimë ta godasim.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes izraelite, Joav Gallant.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Kameron, tha se është “e qartë" se Izraeli ka marrë vendim që të kundërpërgjigjet ndaj sulmit ajror të Iranit, por shpreson që situata të mos përshkallëzojë.
“Është e qartë se izraelitët kanë vendosur të ndërmarrin veprime. Shpresojmë që kundërpërgjigjja e Izraelit të përshkallëzojë sa më pak të jetë e mundur situatën aktuale.”, - u shpreh sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Kameron.
ShBA-ja dhe BE-ja paralajmëruan sanksione të reja kundër Iranit, për shkak të sulmeve raketore të kryera mbi Izrael, njëra prej tyre është edhe kufizimi i lëvizjes së kryediplomatit iranian në takimet e OKB-së.
“Nëse ai merr pjesë në takimin e Kombeve të Bashkuara, nuk është i mirëpritur. Nuk pres ta shoh atë në shumë vende të tjera jashtë OKB-së. Mund të vendos kufizime serioze ndaj lëvizjeve të diplomatëve të caktuar, prisni të shikoni kufizime serioze në lëvizjet e tyre.”, - deklaroi zëdhënësi i Departamentit Amerikan i Shtetit, Metju Miller.
Sanksionet kundër Iranit nga ana e ShBA-së dhe BE-së, presidenti i Turqisë i quajti të njëanshme dhe të padrejta, dhe paralajmëroi se këto vendime do të nxisin përshkallëzim në të gjithë rajonin.
“Ky është një fakt i padiskutueshëm se arsyeja kryesore e përshkallëzimit të tensioneve të fundit në natën e 13 prillit është Netanjahu dhe administrata e tij gjakatare. Ata që qëndruan të heshtur ndaj qëndrimit agresiv të Izraelit për muaj të tërë, tani po vrapojnë për të dënuar reagimin e Iranit. Megjithatë, ata duhet së pari të dënojnë dhe kritikojnë Netanjahun. Është e qartë se nëse shtypja dhe gjenocidi në Gazë nuk përfundon, priten tensione të reja në rajon.", - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Më 1 prill Izraeli kreu sulm ajror në ndërtesën e konsullatës së Iranit në Damask. Në sulm humbën jetën 7 anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përfshirë 2 gjeneralë. Irani njoftoi se sulmi i Izraelit ndaj konsullatës nënkuptonte sulm në territorin e vendit të tij dhe se ata do të hakmerreshin. Ndërsa Izraeli tha se do t'i përgjigjej sulmeve të Iranit. Më 13 prill, Irani nisi një sulm ndaj Izraelit me qindra mjete ajrore pa pilot kamikazë, raketa balistike dhe lundruese. Këtyre sulmeve të Iranit, Izraeli tha se do t’u kundërpërgjigjet. Ushtria Izraelite gjatë ditës ka kryer sulme në më shumë se 40 objektiva në Rripin e Gazës. Duke vrarë dhjetëra persona, përfshirë fëmijë dhe gra. Me këtë, numri i të vrarëve i afrohet shifrës 34 mijë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
