Raund i ri i dialogut për çështjen e dinarit serb
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë...

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen sot në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për të diskutuar për një zgjidhje për çështjen e dinarit të Serbisë.
Fillimisht, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, do të takohet ndaras me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe më pas do të ketë një takim dypalësh me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Më vonë, pritet të ketë edhe një takim trepalësh.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ditë më parë tha se në të synohet gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.
Në raundet paraprake të dialogut, kryenegociatorët kanë diskutuar për propozimet e paraqitura nga ta për çështjen e dinarit serb.
Bislimi ka deklaruar se propozimi i Kosovës është “konstruktiv”, që sipas tij, mundëson që mbështetja financiare “të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së” dhe legjislacioni i Kosovës.
Ndërkaq, Petkoviq e ka cilësuar propozimin serb për dinarin si “të balancuar”, i cili sipas tij ka për bazë “interesat e popullit serb në Kosovë”.
