Presidentja e Kosovës, Osmani: Pesë policë të Kosovës mbahen peng nga Serbia

18.04.2024 11:38

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, duke  thirrur faktorin ndërkombëtar që të reagojë për këtë çështje.

“U bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë.”.

Osmani tha se “kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri ndaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të jetë anëtare fuqiplote e INTERPOL-it dhe e EUROPOL-it”.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, përsëriti se ende nuk ka ndonjë arsyetim nga Serbia se pse pesë zyrtarët policorë po mbahen në Rashkë. Ai tha se ky është një akt i paprecedent i Serbisë, “mes shumë veprimesh e sulmesh drejtuar Policisë së Kosovës”.

“Ky është një sulm i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të vet komunitetit serb brenda Policisë së Kosovës, të cilët gjejnë vullnetin dhe guximin të bashkohen në rrugën e përbashkët që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet për vendin tonë”, tha Sveçla në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 59-të të kadetëve të Policisë së Kosovës.