Netanjahu pas thirrjeve për vetëpërmbajtje: Izraeli do të vendosë vetë si të mbrohet
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu...

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka deklaruar se Izraeli do t’i marrë vetë vendimet për mënyrën se si do ta mbrojë veten dhe do të bëjë gjithçka për të mbrojtur veten përballë kërcënimeve që i vijnë nga shtetet e tjera në rajonin e Lindjes së Mesme.
Netanjahu falënderoi përkrahësit e tij për mbështetjen e dhënë në parandalimin e sulmit.
“Falënderoj miqtë tanë për mbështetjen. Ata kanë të gjitha llojet e sugjerimeve dhe këshillave, por unë dua ta bëj të qartë se ne vet do të marrim vendimet tona dhe shteti i Izraelit do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur veten.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin në rajon, BE-ja po vendos sanksione të reja kundër Teheranit.
“Ne kemi vendosur të sjellim sanksione kundër Iranit. Ky është një sinjal i qartë që ne duam të dërgojmë. Duam të bëjmë gjithçka për të mbrojtur civilët.”.
Lindja e Mesme është temë edhe në takimin e ministrave të jashtëm të grupit G7 në Itali.
“Ne jemi miq të Izraelit dhe kundërsulmit që ndodhi. Por kjo është një fitore për Izraelin, tani duhet të punojmë shumë për de-përshkallëzimin.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Ndërkohë luftimet kanë vazhduar edhe me sulme në kufirin izraelito-libanez. Katari ka njoftuar se po rishikon rolin e tij si ndërmjetës, duke akuzuar disa nga palët për "keqpërdorim" të tij për të fituar pikë politike. Ata njoftuan se negociatat aktualisht janë pezulluar.
“Kemi parë keqpërdorim të këtij ndërmjetësimi në favor të interesave të ngushta politike. Ne jemi të përkushtuar, por ka kufizime në rolin dhe aftësinë tonë për të kontribuar në këto negociata.”, - deklaroi kryeministri i Katarit, Mohamed Bin Abdulrahman Al Thani.
Konflikti në Lindjen e Mesme u ndez pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, pas së cilës Tel Avivi nisi një ofensivë ushtarake në Rripin e Gazës. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
