Zgjedhjet parlamentare në Kroaci, BDK në pushtet fiton për të tretën herë radhazi
Pas numërimit të 90 për qind të votave...

Pas numërimit të 90 për qind të votave për zgjedhjet parlamentare në Kroaci për të tretën herë me radhë fitoi partia konservatore në pushtet, Bashkimi Demokratik Kroat.
BDK morri 61 prej 151 vendeve në parlamentin kroat, numër që rezulton më pak se në zgjedhjet e kaluara. Për të qëndruar në pushtet, BDK-ja do të duhet të zhvillojë bisedime të vështira, pasi që në bazë të përllogaritjeve të fundit do të ketë nevojë për mbështetje të ekstremit të djathtë, e cila fitoi 14 mandate parlamentare.
“Ajo që ka rëndësi është se Bashkimi Demokratik Kroat për të tretën herë me radhë bindshëm ka fituar në zgjedhjet parlamentare. Edhe më e rëndësishme është që po nisim me formimin e shumicës së re parlamentare për formimin e qeverisë tonë të tretë.”, - deklaroi kryetari i Bashkimit Demokratik Kroat, Andrej Plenkoviq.
Fushata parazgjedhore ishte e fokusuar në rivalitetin e ashpër mes presidentit dhe kryeministrit të vendit. Bashkimi Demokratik Kroat, i kryesuar nga Andrej Plenkoviqi, ishte në garë me një aleancë të partive të qendrës dhe të krahut të majtë, i udhëhequr joformalisht nga presidenti populist, Zoran Milanoviq dhe Partia e tij Social Demokrate, e cila fitoi 42 vende në parlamentin kroat.
“Këto rezultate sigurisht që nuk janë ato që ne të gjithë i donim. Por këto rezultate tregojnë gjithashtu se dy të tretat e qytetarëve të Kroacisë duan ndryshime. Dy të tretat e qytetarëve kroatë nuk janë të kënaqur me atë që po ndodh në Kroaci. Para nesh kemi ditë, ndoshta edhe muaj bisedime dhe ato bisedime do të përfundojnë me ndryshim që do ta bëjë Kroacinë më të mirë.”, - theksoi kryetari i Partisë Social Demokrate, Pegja Grubin.
Në zgjedhjet parlamentare në Kroaci u regjistrua numër rekord i daljes së qytetarëve prej mbi 60 për qind, veçanërisht disa orë para mbylljes së qendrave të votimit.
Zgjedhjet u zhvilluan kur Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, lufton me normën më të lartë të inflacionit në eurozonë, mungesën e fuqisë punëtore, migrimin e paligjshëm dhe raportet për korrupsion të përhapur. (Leunora Kaliqi, TVM2)
