Botë
Arrestohen 5 policë të Kosovës në Serbi, reagojnë autoritetet e Republikës së Kosovës
18.04.2024 17:09
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka quajtur akt të paprecedent mbajtjen e zëvendësdrejtorit...

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka quajtur akt të paprecedent mbajtjen e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq dhe katër zyrtarëve policorë nga autoritetet serbe, që nga dita e djeshme në Serbi.
Sipas tij, ky është sulm i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb brenda policisë së Kosovës “që gjejnë vullnetin dhe guximin të bashkohen në rrugën e përbashkët, që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet në vend”.
“Dejan Jankoviq, dje është ndaluar dhe po mbahet pa asnjë arsyetim në Rashkë të Serbisë edhe katër zyrtarë tjerë policorë. Ky është akt i paprecedent i Serbisë mes shumë veprimesh e sulmesh ndaj policisë së Kosovës.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se policët e Kosovës po mbahen peng nga një shtet shovinist si Serbia.
“I bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngritin zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se pesë policët e arrestuar nga Serbia janë liruar, përveç zëvendësdrejtorit të Policisë, Dejan Jankoviq, i cili po vazhdon që të mbahet në burg.
“Informacionet e fundit na njoftojnë se të gjithë policët e ndaluar tashmë janë liruar, përveç zëvendësdrejtorit, Dejan Jankoviq.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ky nuk është rasti i vetëm kur Serbia arreston policë të Kosovës, tha Kurti, duke përkujtuar se në mes të qershorit të vitit të kaluar ishin rrëmbyer nga njësiti special ushtarak i Serbisë në pjesën Veriore të Kosovës tre pjesëtarë të policisë së Kosovës.
GYLTENE SINANI
