Kontesti për emrin, analistët: Hill ka reflektuar situatën reale
Deklarata e fundit e ish ambasadorit amerikan, Kristofer Hill, se Maqedonia nuk do ta ndryshojë emrin kushtetues, por duhet të ketë një lloj pako për emrin, që do të jetë i pranueshëm për të gjithë, përbën një kontribut cili i vjen nga një mik i Maqedonisë dhe njëkohësisht mesazh se Maqedonia duhet të mendojë për zgjidhjen përfundimtare të kontestit me Greqinë...

“Duke marrë për bazë se ky njeri, ky personalitet i lartë i Shtetit amerikan ka kontribuar më së shumti në forcimin e pozicionit të Maqedonisë në njohjen ndërkombëtare sa edhe në pozitën e saj ndërkombëtare në të kaluarën, patjetër se mesazhet e tij duhet t’i marrim si mesazhe që ndihmojnë, kontribuojnë në zgjidhjen përfundimtare të problemit tashmë me dekada që e ka RM-së me shtetin fqinj, Greqinë”- deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.
Edhe analisti, Albert Musliu, vlerëson se qëndrimet e ish ambasadorit Hill lidhur me kontestin për emrin reflektojnë realitetin në Maqedoni. Sipas tij, qëndrimi në pozitat diametralisht të kundërta nuk e ndihmojnë procesin.
“Ky propozim i tij është jo vetëm vlerësim i situatës aktuale, por është edhe një inkurajim i një diplomati miqësor të Maqedonisë se në çfarë drejtimi duhet të shkojë procesi. Ne e kemi parë, në shoqërinë maqedonase ka pasur disa paralajmërime për opsione të mundshme, si Republika e Maqedonisë Veriore, d.m.th. ka pasur disa debate, mendoj se ato kanë qenë edhe si eksponent të klasës politike, të cilët kanë filluar dalëngadalë ta përgatisin edhe popullatën, veçanërisht maqedonase, për ndonjë kompromis eventual”- tha analisti, Albert Musliu.
Deklarata e ambasadorit Hill, shton Musliu, gjithashtu përbën një inkurajim edhe për administratën amerikane, që të kyçet në mënyrë më aktive në zgjedhjen e këtij problemi, por edhe për të dy palët, që të punojnë seriozisht për të gjetur kompromisin e duhur.(Naim Ramadani, TVM2)
