Rrjedhja e “sekreteve shtetërore”, Selmani: Institucionet janë përgjegjëse

09.04.2015 17:17

Rrjedhja e “sekreteve shtetërore” në opinion nuk është më sekret shtetëror...

Rrjedhja e “sekreteve shtetërore” në opinion nuk është më sekret shtetëror dhe për këtë fillimisht duhet kërkuar përgjegjësi nga autoritetet e autorizuar për mbrojtjen e informatave të klasifikuara, thotë eksperti i sigurisë, Bashkim Selmani, duke komentuar akuzat e pushtetit ndaj kreut të opozitës se me publikimin e të ashtuquajturave “bomba” ka zbuluar informacione të klasifikuara si sekret shtetëror.

“Dalja e informacionit nga vetë institucionet që janë të thirrura dhe të detyruara të mbrojnë diskrecionin shtetëror është përgjegjësi e vetë institucioneve dhe personave, të cilët bartin përgjegjësi në rolin dhe profesionin e tyre, sepse japin llogari të veçantë për sa u përket shërbimeve sekrete”- deklaroi eksperti i sigurisë, Bashkim Selmani.

Pas publikimit të informacioneve të klasifikuara, me të cilat zbulohen vepra penale ose tejkalim dhe keqpërdorim i funksionit, zyrtarët zakonisht mbajnë përgjegjësi morale dhe fillimisht japin dorëheqje, thotë Selmani, duke sqaruar se kjo ndodhë në vende me traditë demokratike. Ndërkaq, te ne ndodhë e kundërta, thekson ai.

“Pozita në kohën e fundit është duke inskenuar një lloj ngjarje, siç është rritja e rrogave, pagave ose veprimeve të tjera, por ne në aspektin juridik e kuptojmë vetëm si kërkimfalje ose mini-amnisti nga ana e qytetarëve për veprimet e gabuara që ka bërë deri më tani Qeveria e RM-së. Dhe në këtë rast, Qeveria e RM-së jo vetëm që ka humb besimin moral te qytetarët, por ajo moralisht ndjehet e dëmtuar”- tha eksperti i sigurisë, Bashkim Selmani.

Neni 20 i Ligjit për Informata të Klasifikuara thotë se: informata e cila është përcaktuar me shkallë të klasifikimit, nuk do të llogaritet si informatë e klasifikuar nëse me të fshihet vepër penale, tejkalim ose keqpërdorim i funksionit, ose ndonjë akt ose procedurë tjetër joligjore.

Sipas Selmanit, kur paraqiten raste të tilla të përgjimit në masë, ku shkelen liritë dhe të drejtat e qytetarëve të garantuara me ligj dhe konventa ndërkombëtare, zakonisht reagojnë dhe protestojnë vetë qytetarët, mirëpo, meqë në Maqedoni nuk po ndodhë një gjë e tillë, tejkalimi i situatës kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve, thekson ai. (Shpëtim Nuredini, TVM2)