Izraeli sulmon Iranin, shpërthime në provincën qendrore të Isfahanit

19.04.2024 13:41

CNN raporton se një raketë izraelite...

CNN raporton se një raketë izraelite ka goditur Iranin. Mediat shtetërore iraniane citojnë raporte të pakonfirmuara për shpërthime në provincën qendrore të Isfahanit. Por, Irani mohon sulmin ajror duke shtuar se objektet bërthamore janë të sigurta.

Fluturimet janë pezulluar mbi disa qytete, thonë mediat shtetërore. Irani ka qenë në gatishmëri të lartë pasi Izraeli tha se do t'i përgjigjej raketave dhe dronëve iranianë. Një ditë më parë edhe Irani ka kërcënuar Izraelin me një hakmarrje të fortë nëse ky i fundit tenton të sulmojë.

Ministri i Jashtëm iranian paralajmëroi Tel-Avivin nga selia e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pas sulmit izraelit të raportuar nga mediat amerikane mbi Isfahan të Iranit, aeroporti ndërkombëtar i Teheranit mësohet se është mbyllur.

Disa fluturime të Emirates dhe Flaj Dubai që po fluturonin mbi Iran bënë kthesa të papritura nga hapësira ajrore, sipas shtigjeve të fluturimit të treguara në uebsajtin gjurmues Flightradar24.

Irani  mohon: S’ka pasur asnjë sulm ajror

Irani e mohon: “Nuk ka pasur asnjë sulm ajror, objektet bërthamore janë të sigurta.”.

Ka pasur mohim të drejtpërdrejtë të një sulmi raketor ndaj Iranit nga zëdhënësi i Qendrës Kombëtare të Hapësirës Kibernetike të vendit.

Hosein Dalirian shkroi se “nuk ka pasur asnjë sulm ajror nga kufijtë e jashtëm në Isfahan apo pjesë të tjera të vendit.”.

Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar të njëjtën gjë, duke thënë se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar në disa zona të vendit gjatë natës për të përfshirë objektivat e mundshëm, por nuk ka pasur raportime për ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë apo shpërthim dhe se  objektet bërthamore janë të sigurta.