Kurti reagon për rrëmbimet e policëve: Serbia u trimërua, pasi nuk ndodhet nën sanksione

19.04.2024 14:27

Nuk mund të flitet e diskutohet vetëm për Asociacionin...

Nuk mund të flitet e diskutohet vetëm për Asociacionin, pa e pranuar dhe respektuar Serbia Marrëveshjen Bazike, Aneksin e Zbatimit, pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimit në Bruksel, e pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia, kurse vazhdimi i saj Mustafa-Thaçi është rrëzuar në Kushtetuese.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 11 vjetorit nga marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

“Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë.”, thekson Kurti.

Ai njëherit ka theksuar se po të ishte sanksionuar me kohë Serbia, nuk do të kishte ndodhur rrëmbimi i pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga radhët e minoritetit serb.

“Arrestimet në masë, që u bën Serbia qytetarëve të vendit tonë, qofshin ata qytetarë të zakonshëm që e përdorin Serbinë si vend transit për t’u kthyer në Kosovë nga vendet e BE-së apo për të shkuar atje, qofshin ato zyrtarë shtetëror si puna e zëvendësdrejtorit të policisë, këto nuk do të vinin në shprehje sikur Serbia të ndodhej nën sanksione. Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar atë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti njëherit tha se me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, po u bëhet presion nëpërmjet rrëmbimit apo mbajtjes në pikat kufitare të qytetarëve të Kosovës, e sidomos atyre të komunitetit serb që punojnë në institucionet e Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)