Observatori Sizmologjik në Shkup: Tërmetet nuk shkaktohen nga reshjet

09.04.2015 17:27

Para disa ditësh, në rajonin e Dibrës dhe Shkupit janë ndjerë dy dridhje të tokës, por epiqendra e tyre ka qenë në vendet fqinje, përkatësisht në Shqipëri dhe Kosovë...

Por, nga Observatori Sizmologjik në Shkup përjashtojnë mundësinë që reshjet, siç ishin ato të ditëve të fundit, të kenë ndikim në shkaktimin e tërmeteve.

“Të gjitha këto tërmete që kanë prejardhje nga territori i Maqedonisë, janë në kuadër të aktiviteteve normale sizmike. Ndërsa sa u përket shirave, sipas analizave të deritanishme uji i shirave depërton në thellësi më së shumti prej një kilometri, po ka raste edhe prej disa kilometrash, por epiqendra e tërmeteve në Maqedoni ndodhet në koren e tokës me thellësi prej 10 deri në 30 kilometrash, që do të thotë se është shumë e dobët, apo mund të thuhet edhe nuk kanë kurrfarë ndikimesh reshjet në shkaktimin e tërmeteve plotësuese”- thanë nga Observatori Sizmologjik-Shkup.

Reshjet apo vërshimet vetëm mund të shpejtojnë paraqitjen e tërmeteve për disa muaj më herët, theksojnë nga ky observatorë.

“Reshjet e mëdha dhe vërshimet mund të shkaktojnë vetëm përshpejtimin e paraqitjes së dridhjes së tokës, përkatësisht në procesin e përgatitjes së tërmetit, që zgjat për një kohë më të gjatë, për shembull nëse duhej të ndodhte pas disa muajsh, mund të përshpejtohet tërmeti të ndodhë për disa muaj më herët, sepse uji duke depërtuar në thellësi mund të përshpejtojë lëvizjen e blloqeve dhe ta përshpejtojë ndodhjen e tërmetit, por assesi nuk mundet të shkaktojë tërmet”- theksuan nga  Observatori Sizmologjik-Shkup.

Megjithatë, e gjithë Maqedonia është zonë ku mund të priten tërmete të fuqishme, theksojnë ekspertët, duke përkujtuar tërmetin e vitit 1963 në Shkup, me intensitet prej 9 ballësh, në vitin 1904 në Pehçevë, kur ka ndodhur tërmeti më i fuqishëm në Ballkan, apo tërmeti i Vallandovës në vitin 1931 dhe ai në Dibër, në vitin 1967. Por, sipas ekspertëve, përsëritja e tërmeteve me intensitet të fuqishëm mund të ndodhë një herë në 500 vite. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)