Rasti “Monstra”, Zaev: Së shpejti do ta shpalosim të vërtetën
Me deklaratën e kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, në Prokurorinë Publike ka përfunduar faza për dhënien e dëshmive të personave të dyshuar në rastin “Puç”...

Zaev tha se edhe ai, por edhe Zoran Verushevski, përmes procesverbalit kanë paraqitur padi penale kundër Sasho Miallkovit dhe Nikolla Gruevskit për shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit në Maqedoni, duke keqpërdorur pozitën e tyre si kryeministër dhe drejtor në Agjencinë për Zbulim dhe Kundërzbulim.
Duke vlerësuar gjitha dëshmitë, Zaevi pret që prokuroria të hedh poshtë padinë për rastin “Puç”.
“Mbrojtja jonë është e vërteta për Maqedoninë. Nga fillimi deri në fund po shpallet e vërteta për Maqedoninë, e cila është më se e qartë. Pas shqyrtimit të dëshmive, pas deklaratave të dëshmitarëve, por edhe të të akuzuarve, është e qartë dhe unë shpresoj se Prokuroria Publike do ta ndërpresë procedurën dhe do ta hedhë poshtë padinë penale të MPB-së për rastin “Puç” dhe menjëherë do të fillojë me hetimin për veprën penale për shkeljen e Kushtetutës dhe Ligjeve të RM-së nga vetë qeveria”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaevi gjithashtu bëri të ditur se ka biseduar me familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe prindërit e 5 të vrarëve tek liqeni i Smillkovcës. Të dyja palët janë të etur për drejtësi dhe atë që posedojmë do ta shpalosim, tha Zaevi.
“Unë kisha takim para shumë kohësh edhe me prindërit e fëmijëve që humbën jetën, që udhëhiqet si lëndë “Monstra” apo liqeni i Smilkovcës, por kisha takim edhe me familjarët e personave të dënuar. Absolutisht i dëgjova të gjithë për atë që gjurmojnë dhe mund të përfundoj se të dyja palët janë të etura dhe gjurmojnë për të vërtetën. Atë të vërtetë që e kemi ne do ta shpërndajmë me publikun pa ndërhyrë në detaje dhe në qëndrimet tona të caktuara për këtë rast”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij ngarkohen për spiunim në favor të shërbimeve të huaja sekrete, dhunë ndaj organeve shtetërore dhe për rrezikimin e rendit kushtetues dhe institucioneve demokratike. (Florije Kamberi, TVM2)
