Ekonomi
Takimet me Bankën Botërore, Nikolloski: 695 milionë dollarë përkrahje nga BB-ja
21.04.2024 15:54
Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar dhe vijon fuqishëm në zbatimin e reformave...

Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar dhe vijon fuqishëm në zbatimin e reformave strukturore të cilat janë përcaktuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë, me ç’rast përkrahja e theksuar në zbatimin e tyre u konfirmua nga Banka Botërore përmes Kornizës së re katërvjeçare të partneritetit me portofol kredie afërsisht prej 700 milionë dollarëve. Kjo përkrahje e Bankës Botërore erdhi pas takimit të zëvendësministrit të Financave Filip Nikolloski në Bankën Botërore me nënkryetaren e Bankës Botërore, Antonella Bassani.
“Banka Botërore është partnerja jonë e rëndësishme nga e cila kemi marrë përkrahje të vazhdueshme për mbi 30 vjet në zhvillimin e shoqërisë. Tashmë u miratua grupi i parë i marrëveshjeve të huave nga korniza e re, respektivisht janë siguruar 93.8 milionë euro për politikat zhvillimore, 27.5 milionë euro për përmirësimin e shërbimeve sociale, si dhe 31 milionë euro për përmirësimin dhe zhvillimin e rrugëve. Në katër vitet e ardhshme, shtetit i janë vënë në dispozicion 695 milionë dollarë, të cilat do të destinohen drejt përmirësimit të disponueshmërisë së cilësisë së shërbimeve publike, hapjen e vendeve të reja të punës.”, tha Filip Nikolloski, Zv/Ministër I Ministrisë së Financave
BP: BB përkrah aktivitetet reformuese
Mirnjohje shprehën edhe nga Banka Popullore e Maqedonisë, ku thonë se Banka Popullore e Maqedonisë ka shfaqur përkushtim të fortë për aplikimin e anëtarësimit të vendit në Zonën e vetme të pagesave në euro – SEPA.
“Shprehim synimin për të siguruar që qytetarët dhe kompanitë të përfitojnë nga liria dhe shpejtësia e pagesave ndërkufitare në 36 vende të BE-së dhe SEPA-s, duke bërë që integrimi në këtë infrastrukturë të jetë një hap i rëndësishëm drejt integritetit më të madh tregtar dhe financiar me vendet e SEPA-s. Banka Botërore ka shprehur gadishmëri për progresin e Bankës Popullore në përgatitjen e aplikacionit SEPA, duke premtuar mbështetje teknike të vazhdueshme për të përmirësuar sigurinë dhe efikasitetin e pagesave në euro.”, – thuhet në kumtesën e Bankës Popullore.
FITIM KRYEZIU
