Botë
Kosovë votohet për shkarkimin e kryetarëve në veri
21.04.2024 16:11
Në Kosovë është votohet për largimin nga detyra të katër kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës...

Në Kosovë është votohet për largimin nga detyra të katër kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, janë gjithsej 23 qendra ku qytetarët votojnë pro ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë. Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë në orën 07:00. Dalja në votime ka qenë mjaft e ulët, pasi Lista Serbe, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të veriut të bojkotojnë procesin zgjedhor. Lista Sërbe ka shkaktuar edhe një sërë pengesash duke detyruar autoritetet të ndryshojnë lokacionet e qendrave të votimit.
“Ndryshimi është bërë për shkak të pamundësisë me i hap qendrat e rregullta të votimit dhe kjo ka qenë për shkak se i gjithë informacioni që nuk mund t’i hapim këto qendra ka qenë diku të mërkurën dhe derisa i kemi përgatitur lokacionet e reja ka marr pak kohë. Por, ne i kemi ofruar qytetarëve njoftimin përmes platformës së KQZ-së, që i kemi dërguar lokacionet e reja. Ka qenë kohë e shkurtë, por ka qenë e pamundur me u bë më herët.”, tha Kreshnik Radoniqi, kryetari i KQZ-së, Kosovë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili po qëndron në veri për të shikuar nga afër rrjedhën e procesit, tha se Lista Serbe, i shfrytëzon institucionet e Kosovës vetëm për vete dhe jo për qytetarët.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe të mos përfaqësojnë interesin e qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit.”, tha Elbert Krasniqi, ministri i administrimit të pushtetit lokal.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, si dhe partitë tjera më të vogla nga komuniteti serb në veri të Kosovës kanë vendosur të mos marrin pjesë në votim edhe pse më herët morën pjesë në mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim shkarkimin e kryetarëve aktual shqiptarë. Mospjesëmarrjen e tyre në votimin e sotëm ata e kanë arsyetuar me lista joreale të votuesve sepse, siç pretendojnë ata, janë shpërngulur rreth 15 për qind e serbëve dhe kundërshtojnë vendimin e KQS-së, për monitorimin e procesit të votimit me kamera. Të drejtë vote në këto komuna kanë 46.556 votues, që është 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e 23 prillit 2023.
FARIJE DAUTI BAKIU
