Botë

Vazhdon ofensiva ushtarake në Rripin e Gazës, zhvillimet në Lindjen e Mesme, temë në PE dhe KE

22.04.2024 13:54

Vala e tensioneve dhe konflikteve vazhdon në Lindjen e Mesme...

Intensifikohet ofensiva ushtarake në Rripin e Gazës, që sipas mbrojtjes izraelite po përparon së bashku me arritjen e objektivave tjera.
 
Janë miratuar edhe planet për operacione ushtarake në Rafah, ndërkohë pritet evakuimi i popullatës. Gjatë natës u rrëzua një dron izraelit mbi territorin libanez, ndërkaq në Jerusalem tre persona u plagosën, ku u arrestuan dy të dyshuar pas përplasjes së një makine në këmbësor.
 
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i miratoi planet për vazhdimin e luftimeve. Detyra jonë është të vazhdojmë të mposhtim Hamasin dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për të rikthyer pengjet dhe ne po bëjmë përparim në këtë së bashku me objektivat e tjera të luftës.”, deklaroi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Daniel Hagari. 
 
Kreu i inteligjencës ushtarake izraelite, Aharon Haliva, ka dhënë dorëheqje dhe është zyrtari i parë i lartë izraelit që jep dorëheqjen që nga sulmi i Hamasit të 7 tetorit. Ndërkohë vazhdojnë protestat antiqeveritare në Izrael, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve. Kryeministri Netanjahu thotë se Hamasi ka hedhur poshtë të gjitha propozimet.
 
“I bëjmë thirrje Qeverisë, nëse nuk mund t'i kthejë pengjet, t'ia lërë postin dikujt që mund ta bëjë këtë marrëveshje.”, - tha një protestues. 
 
“Në ditët në vijim ne do të rrisim presionin ushtarak dhe politik mbi Hamasin, sepse vetëm kështu do të çlirojmë pengjet dhe do të arrijmë fitoren tonë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, tensionet në Bregun Perëndimor dhe sulmi i fundit i Iranit ndaj Izraelit, është një nga temat e seancës plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg dhe Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Luksemburg.
 
“Ne duhet të flasim për Lindjen e Mesme, do të flasim për sanksionet kundër Iranit. Shpresoj se do të ketë një paketë të madhe sanksionesh dhe një pjesë e madhe e tyre do të bien dakord, na duhet unanimiteti. Sulmet kundër palestinezëve po shtohen. Ne duhet të rishqyrtojmë sanksionet kundër kolonëve të dhunshëm.”, - u shpreh kreu i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Xhosef Borrell.
 
Ndërkohë, të paktën pesë raketa u hodhën nga qyteti irakian, Zumar, drejt bazës të ushtrisë amerikane në Sirinë verilindore. Sulmi është i pari që nga fillimi i shkurtit, kur grupet e mbështetura nga Irani në Irak ndaluan gjuajtjen me raketa ndaj forcave amerikane.
 
LEUNORA KALIQI