Përmbytje në Kinë, 11 persona të zhdukur, dhjetëra mijëra evakuohen

22.04.2024 17:30

Kryeqyteti i provincës Guangdong...

Kryeqyteti i provincës Guangdong dhe disa qytete tjera përreth janë ndër më të prekurat nga përmbytjet e shkaktuara si rezultat i reshjeve  të dendura të shiut, ndërsa rreth  60.000 njerëz janë evakuuar, raportojnë mediat kineze.

11 persona raportohen të zhdukur, ndërsa deri më tani nuk janë evidentuar viktima. Pamjet e transmetuara në mediat lokale pasqyrojnë zonat e përmbytura dhe ekipet e shpëtimit që  transportonin njerëzit e prekur nga përmbytjet me varka.

Disa lumenj të mëdhenj kanë dalë nga brigjet e tyre dhe autoritetet kineze kanë paralajmëruar se deri në mëngjes niveli i njërit nga lumenjtë në pjesën veriore të Guangdong mund të arrijë kulmin, gjë që ndodh një herë në 100 vjet.

Delta e këtij lumi është një nga bazat kryesore të prodhimit të Kinës dhe një nga rajonet më të dendura me popullatë, ku vetëm Guangdongu ka rreth 127 milionë banorë.

Gjatë fundjavës pa energji elektrike kanë mbetur rreth 1.16 milionë familje.

Kjo gjendje ka bërë që të anulohen edhe fluturimet në Aeroportin e Guangzhout, ndërsa është ndërprerë edhe procesi mësimor në tre qytete të provincës. Vlerësimet fillestare të autoriteteve kineze janë se pasojat e drejtpërdrejta ekonomike nga përmbytjet arrijnë në gati 19.8 milionë dollarë.

Shërbimet meteorologjike të Kinës kanë paralajmëruar për shira të dendur në Guangdong dhe zonat bregdetare në provincën fqinje Fujian të paktën deri të martën. Reshje të ngjashme priten edhe në pjesë të tjera të Kinës, duke përfshirë kryeqytetin Pekin, i ndjekur nga Tianjin dhe Hebei.

Korrikun e kaluar, kryeqyteti i Kinës dhe provincat përreth u përmbytën pasi vendin e goditën një seri tajfunesh nga Oqeani Paqësor. Më pas, kryeqyteti kinez u godit nga reshjet më të mëdha në 140 vjet. (Leunora Kaliqi, TVM2)