Festat rrisin çmimet, shitësit ankohen se nuk ka blerës as për festa
Festa e “Pashkëve” jo vetëm që ka shtrenjtuar çmimin e vezëve, por edhe tek produktet tjera ushqimore vërehet ndryshim në çmim...

Çmimet në treg janë mjaft të larta, thonë qytetarët, përderisa tregtarët ankohen se nuk ka fare shitje dhe nuk kanë pësuar rritje produktet e tyre.
Blerësit thonë se nuk kanë mundësi të blejnë gjërat e nevojshme dhe, sipas tyre, ngritja e çmimeve ndodhë sa herë që ka festa fetare, por edhe festa të tjera.
“Se është festë shtrenjtë, pazari edhe përpara ka qenë, por sot më tepër”- u shpreh një blerës.
“Mendoj se pak po, janë rritur, por populli nuk ka, sepse gjithçka është shtrenjtë”- theksoi një blerës.
“Çdoherë kur ka festa çmimet rriten”- tha një blerës.
“Shtrenjtë janë, shtrenjtë”- potencoi një blerës.
“Çmimet katastrofë, një kg banane 70 denarë, dje kanë qenë 50, sot 70 denarë, sigurisht për shkak të festës janë rritur”- u shpreh një blerës.
Mirëpo këtë mendim nuk e ndajnë shitësit, ku sipas tyre, çmimet janë të njëjta, por problemi qëndron në të ardhurat mujore, të cilat janë të ulëta dhe nuk mund t’i shlyejnë shpenzimet ditore.
“Nuk janë rritur çmimet dhe nuk janë shitur këtë vit. As 10 denarë nuk ka hipë një tabull vezë, çmimet sillen prej 140, 150 deri në 200”- tha një shitës.
“Nuk janë rritur çmimet, përkundrazi, janë më lirë se në vetëshërbime. Me vite çmimi i vezëve është i njëjtë dhe sillet prej 140 deri 220 denarë dhe ka interesim këtyre ditëve”- theksoi një shitës.
“Janë rritur çmimet, por nuk është prej nesh, por prej atyre që i prodhojnë. Tepër janë të shtrenjta çmimet, pak ka shitje, se edhe populli nuk ka para dhe largohen”- u shpreh një shitës.
“Jo, nuk i kemi rritur për shkak të festës, çmimi ai është”- tha një shitës.
Edhe pse shitësit thonë se çmimet nuk kanë ndryshuar, me një vëzhgim të thjeshtë në treg vërehet se çmim i mishit është rritur për 50-60 denarë, Por, edhe përkundër çmimit të lartë të mishit, qytetarët për festë e “Pashkëve” kanë shprehur interesim të madh për ta pasur atë pjesë të tryezës së tyre. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
