Botë
Përplasen 2 helikopterë në Malajzi, humbën jetën 10 persona
23.04.2024 09:29
Dy helikopterë janë përplasur në ajër gjatë provave ushtarake për një paradë të Marinës Mbretërore të Malajzisë...

Dy helikopterë janë përplasur në ajër gjatë provave ushtarake për një paradë të Marinës Mbretërore të Malajzisë. Si pasojë e përplasjes së helikopterëve të marinës kanë ndërruar jetë 10 persona.
Mësohet se njëri prej helikopterëve preu rotorin e tjetrit përpara se të dy të përplaseshin në tokë. Tragjedia ndodhi në qytetin malajzian, Lumut, i cili është shtëpia e një baze marine. Nuk dihet akoma nëse ka të mbijetuar si pasojë e ngjarjes. Një nga helikopterët, një HOM M503-3 me shtatë persona në bord, raportohet se është rrëzuar në një pistë vrapimi.
Tjetri, një Fennec M502-6 që mbante tre viktimat e tjera, u përplas në një pishinë aty pranë. Gjithashtu, në muajin mars një helikopter i rojës bregdetare të Malajzisë u rrëzua në det gjatë një fluturimi stërvitor, por fatmirësisht nuk u raportua për viktima pasi piloti, bashkëpiloti dhe dy pasagjerët në bord u gjetën dhe u shpëtuan nga peshkatarët.
