Botë

Izraeli vijon sulmet mbi Rripin e Gazës, gjendet varrezë masive në Gazë

23.04.2024 12:06

Ushtria izraelite dhe gazetarët në Gaza raportuan sulme...

Varrezë masive u gjet pranë spitalit Kan Junis në Gazë. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit thotë se lufta në Gazë ka shkelur ndjeshëm të drejtat e njeriut. Ndërkohë Izraeli vazhdon sulmet në enklavë.

 
Operacionet ushtarake izraelite vazhdojnë në pjesën jugore të enklavës palestineze, ndërsa numri i trupave të zhvarrosur nga varri masiv i Kan Junisit ka arritur në afro 300. Lufta në Gazë shkeli ndjeshëm të drejtat e njeriut. Sekretari i Shtetit, Blinken, publikoi Raportin Vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk zbatojnë standarde të dyfishta në politikën e tyre ndaj Izraelit. 
 
“Nuk ndryshon nëse vendi në fjalë është kundërshtar, konkurrent, mik apo aleat”, tha Antoni Blinken. 
 
Pavarësisht apeleve për ulje të tensioneve në Bregun Perëndimor, Izraeli kreu bastisje të reja. Ka edhe të plagosur. Tel Avivi ka kritikuar planet e ShBA-së për të sanksionuar një njësi ushtarake izraelite për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor. 
 
“Nëse një ushtar bën një gabim, ne do t'i kërkojmë llogari. Kjo është përgjegjësi e institucionit ushtarak. Askush në botë nuk do të na mësojë se çfarë është morali dhe çfarë janë normat. Ne dimë si të kujdesemi për normat tona dhe si të sillemi. Është përgjegjësia jonë të mbrojmë Izraelin.”, tha ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
 
Autoritetet izraelite njoftuan se do të zgjerojnë zonën humanitare para fillimit të ofensivës në Rafah. Ndërkohë, BE-ja po zgjeron sanksionet ndaj prodhuesve të dronëve dhe raketave të Iranit. Ky veprim është për të ardhur keq, vlerësoi Teherani.