Botë

Stano për masat ndaj Kosovës: Vendos këshilli në bazë të raportit të Borrelit

23.04.2024 13:25

Bashkimi Evropian tha se Këshilli i Ministrave do të diskutojë për masat ndaj Kosovës...

Bashkimi Evropian tha se Këshilli i Ministrave do të diskutojë për masat ndaj Kosovës mbi bazën e një raporti të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së. Deklarimi i BE-së pasoi kërkesën e institucioneve të Kosovës për heqjen e masave të vëna prej afro një viti, pas përmbushjes, siç u tha, të kushtit të fundit me organizimin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, më 21 prill. 
 
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, theksoi se  kërkesa e Këshillit Evropian ishte që  mbajtja e votimit në katër komunat në veri të bëhet sa më shpejt dhe pa kushtëzime. “BE-ja shpreh keqardhje se serbët e Kosovës në veri të Kosovës kanë humbur mundësinë për të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarët e  komunave që do të ishin përfaqësues të vërtetë. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve. 
 
“Vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës në veriun që të tërhiqen nga procesi dhe thirrja për një bojkot rezultoi me një varg vështirësish, përfshirë edhe themelimin e disa komisioneve në vendvotime pa pjesëmarrjen e asnjë anëtari serb të Kosovës.”, tha Stano.